Reagime në Vetëvendosje pas tërheqjes së Bekim Sejdiut

Nacionale

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një humbje për vendin dhe procesin institucional. Deputeti Ardian Gola ka thënë se dështimi i kandidaturave të Feride Rushitit dhe Bekim Sejdiut është “ogur i keq”, duke vlerësuar se të dy përfaqësonin figura […]

Madhësia e shkronjave

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një humbje për vendin dhe procesin institucional.

Deputeti Ardian Gola ka thënë se dështimi i kandidaturave të Feride Rushitit dhe Bekim Sejdiut është “ogur i keq”, duke vlerësuar se të dy përfaqësonin figura me integritet dhe kredibilitet të lartë profesional.

Sipas Golës, dështimi i tyre tregon për pasojat e një “trashëgimie të sëmurë politike”, ku interesat dhe pazaret partiake kanë më shumë peshë sesa vlerat profesionale.

“Sa më i pavarur të jetë kandidati, sa më pak borxhe politike të ketë, sa më i respektuar profesionalisht dhe ndërkombëtarisht të jetë, aq më pak duket se i hyn në punë matematikës së politikës kosovare”, ka shkruar Gola.

Ndërkaq, deputetja Arbërie Nagavci e ka cilësuar tërheqjen e Sejdiut si “humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet”.

Nagavci ka kritikuar klimën politike, duke thënë se ajo po i demotivon personalitetet e tilla dhe po e çon vendin nga një bllokadë në tjetrën.

“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar ajo, duke i shprehur Sejdiut respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës.

Edhe deputeti Vigan Qorrolli ka vlerësuar lart kandidaturën e Sejdiut, duke e cilësuar atë si “kandidaturën më të mirë të mundshme”.

Qorrolli ka thënë se Sejdiu do të ishte “Presidenti më i shkëlqyer i Kosovës”, ndërsa e ka falënderuar për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit me dije, integritet dhe dinjitet./Telegrafi/