Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke thënë se ai meriton falënderim për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit.
Osmani ka vlerësuar edhe mënyrën se si Sejdiu e ka përballuar procesin, në të cilin, sipas saj, çështjet personale shpesh janë vendosur mbi ato institucionale.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, Kosova ka humbur një mundësi jo vetëm për të zgjedhur presidentin, por edhe për të treguar se mund të ndërtojë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.
“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se politika dhe proceset zgjedhore janë të përkohshme, ndërsa mënyra se si një person sillet në momente të vështira mbetet e rëndësishme.
“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, edhe një përpjekje politike që nuk përfundon me sukses mund të lërë pas një dëshmi të rëndësishme të karakterit.
“Dhe ndonjëherë, edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo lë pas diçka më të rëndësishme: një dëshmi të karakterit”, ka theksuar ajo.
Në fund, Osmani e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për qëndrimin e tij gjatë gjithë procesit.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani./Telegrafi/





