Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në koncertin e parë të tenorit kosovar Ramë Lahaj në kuadër të turneut ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, i cili do ta çojë atë në disa prej qyteteve të diasporës shqiptare.
Lahaj do të ngjitet në skenën e Kongresshaus Zürich më 10 tetor, në orën 20:00, ku do të performojë së bashku me ARMA Ensemble.

Koncerti i parë i turneut do të sjellë një program të ndërtuar rreth muzikës shqiptare, krahas repertorit italian e francez dhe pjesëve të njohura nga muzika e filmave.
“PASSION & ORIGIN” është konceptuar rreth lidhjes së Lahajt me muzikën shqiptare dhe repertorit që ka shoqëruar rrugëtimin e tij artistik ndër vite, me synimin që ky program të prezantohet para publikut shqiptar në diasporë.
Pas ndalesës së parë në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, ndërsa më 8 nëntor Lahaj do të performojë në Vjenë. Më 13 dhjetor, “PASSION & ORIGIN” do të mbërrijë në Toronto.
Organizatorët pritet t’i shtojnë edhe data të tjera turneut gjatë periudhës në vijim.
Koncerti në Zürich do të mbahet në Kongresssaal të Kongresshaus Zürich, ndërsa biletat janë në dispozicion përmes Ticketmaster.
Me “PASSION & ORIGIN”, Ramë Lahaj synon të sjellë një program që ndërthur origjinën e tij muzikore me përvojën e krijuar gjatë karrierës ndërkombëtare, duke e prezantuar atë para publikut në qytete ku jeton një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar. /Telegrafi/





