Gazeta austriake “Der Standard” i ka kushtuar një shkrim të veçantë stadiumit “Fadil Vokrri” dhe historisë së futbollit kosovar, në prag të përballjes Kosovë–Austri të dielën, më 4 tetor, në kuadër të Ligës së Kombeve. Përmes katër ndeshjeve historike, mediumi austriak tregon se si ky stadium është bërë pjesë e rëndësishme e historisë sportive dhe shoqërore të Kosovës.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk është një “xhevahir” në kuptimin tradicional. Është një strukturë ovale me pistë vrapimi dhe kapacitet prej pak më pak se 14 mijë vendesh. Megjithatë, sipas “Der Standard”, ai mishëron një pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit kosovar, përcjell Telegrafi.
21 gusht 1983: FC Prishtina – Partizani i Beogradit 2:1
Në fillim të viteve ’80, FC Prishtina ishte bërë magnet për talentet kosovare dhe në vitin 1983 u ngjit për herë të parë në Ligën e Parë Jugosllave. Në një periudhë të tensionuar politikisht dhe etnikisht, rreth 35 mijë tifozë u mblodhën në stadium për ndeshjen ndaj kampionit në fuqi, Partizanit të Beogradit.

Partizani kaloi në epërsi përmes Dragan Mances, por Zoran Batroviq barazoi. Pas një incidenti mes Xhevat Prekazit dhe një lojtari të Partizanit, vendasit mbetën me epërsi numerike dhe më pas Fadil Vokrri shënoi golin e fitores për 2–1.
Vetëm dhjetë ditë më vonë, rreth 35 mijë tifozë, sipas disa burimeve edhe 40 mijë, panë Prishtinën duke mposhtur Dinamon e Zagrebit 3–2. “Shumica nuk erdhën vetëm për të parë sport”, kishte thënë Vokrri vite më vonë.
18 gusht 1991: FC Prishtina – Mogren Budva
Në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, autonomia e Kosovës u kufizua rëndë dhe shqiptarët nisën të krijonin struktura paralele edhe në sport.
Ndeshja e parë e sezonit 1991 ndaj Mogren Budvës nuk u zhvillua. Trajneri Ajet Shosholli dha dorëheqjen, ndërsa një ditë më vonë u larguan edhe të gjithë lojtarët shqiptarë të Kosovës.
Kushtrim Munishi, atëherë vetëm 18-vjeçar, e kujton atë vendim: “Nuk e kisha të lehtë ta merrja atë vendim. Isha 18 vjeç në atë kohë dhe kisha karrierën përpara; mund të kisha luajtur për Partizanin e Beogradit ose Dinamon e Zagrebit”.
Në fund, ai e përshkruan vendimin si një zgjedhje të përbashkët: “Nuk donim të kishim më asnjë lidhje me Serbinë. Ato ishin hapat e parë drejt pavarësisë”.
Për tetë vjet, stadiumi i Prishtinës nuk u përdor nga klubet shqiptare, pasi autoritetet jugosllave ua ndaluan përdorimin e objekteve publike, transmeton Telegrafi.
23 korrik 1999: FC Prishtina – Tetova 4:3
Vetëm disa javë pas përfundimit të luftës në Kosovë, FC Prishtina u rikthye në stadium për një ndeshje miqësore ndaj një ekipi të përzgjedhur nga Tetova.
Kushtrim Munishi, i cili ishte kthyer nga Austria, kujton emocionet e atij momenti: “Nuk mund t’i përshkruash emocionet që ndjen në një moment të tillë”. Të gjithë ish-bashkëlojtarët e tij kishin mbijetuar luftën.
Para ndeshjes u mbajt një koncert dhe stadiumi u mbush plot. “Njerëzit ishin të etur për këtë. Nuk kishin parë ndeshje në atë stadium prej tetë vitesh”, thotë Munishi.
10 shtator 2018: Kosova – Ishujt Faroe 2:0
Pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe më pas u pranua në UEFA e FIFA, stadiumi “Fadil Vokrri” u bë skena e ndeshjeve të para zyrtare të përfaqësueses në Prishtinë.
Më 10 shtator 2018, Kosova priti Ishujt Faroe në Ligën e Kombeve para 12,667 tifozëve. Ishte ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare e Kosovës në Prishtinë, ndërsa Dardanët fituan 2–0.
Një prej golave u shënua nga Atdhe Nuhiu, i cili e kujton atë mbrëmje si një moment të veçantë: “Atmosfera ishte fantastike. Duke marrë parasysh gjithçka që vendi ka kaluar, futbolli u ka dhuruar vazhdimisht pak lumturi”.
Ai shtoi: “Ishte një ndjesi e veçantë të shënoje një gol dhe të shihje gëzimin në fytyrat e njerëzve”.
Nuhiu e konsideron atë ndeshje vetëm fillimin e një rrugëtimi që më pas do ta shndërronte ditën e ndeshjes në një festë për të gjithë vendin.
Tash, disa vite më vonë, “Fadil Vokrri” përgatitet të presë një tjetër përballje të rëndësishme. Kosova dhe Austria do të takohen të dielën, më 4 tetor, në kuadër të Ligës së Kombeve, në një stadium që, siç shkruan “Der Standard”, është shumë më tepër se vetëm një fushë futbolli. /Telegrafi/





