Putini po përsërit gabimin bazik të Brezhnjevit

opinion

Kremlini po i rrit shpenzimet ushtarake në nivele të papërballueshme, duke rikrijuar kushtet që çuan në shembjen e Bashkimit Sovjetik. Për udhëheqësit perëndimorë, planet e Kremlinit për t’i rritur edhe më tej shpenzimet e mbrojtjes – të financuara përmes rritjeve të reja masive të taksave – vetëm sa do t’ua përforcojnë frikën se synimi përfundimtar […]

Madhësia e shkronjave

Kremlini po i rrit shpenzimet ushtarake në nivele të papërballueshme, duke rikrijuar kushtet që çuan në shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Për udhëheqësit perëndimorë, planet e Kremlinit për t’i rritur edhe më tej shpenzimet e mbrojtjes – të financuara përmes rritjeve të reja masive të taksave – vetëm sa do t’ua përforcojnë frikën se synimi përfundimtar i Vladimir Putinit është të provokojë një konflikt më të gjerë me aleancën e NATO-s.

Pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vitin e kaluar dha alarmin se Rusia do të mund të ndërmerrte një sulm kundër aleancës brenda pesë vjetëve, ka pasur paralajmërime të shumta se një formë e agresionit rus mund të ndodhë edhe më herët.

Vetëm javën e kaluar, ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, tha në një takim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Moska “po zien diçka të madhe këtë vit”, ndërsa disa krerë të shërbimeve evropiane të inteligjencës po paralajmërojnë se Rusia mund të përpiqet t’i vërë në provë mbrojtjet e NATO-s brenda disa “muajve, jo viteve”. Thuhet se shqetësimet në rritje për synimet e Putinit ndaj NATO-se e shpjegojnë vendimin e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, për të fluturuar drejt Moskës në fund të gushtit, për ta paralajmëruar Putinin për rreziqet me të cilat do të përballej nëse do të provokonte një ballafaqim me aleancën perëndimore.

Raportet se Moska po planifikon t’i rrisë shpenzimet ushtarake në vitin 2027 me plot 27 përqind, vetëm sa do ta përforcojnë pikëpamjen se, pavarësisht pengesave të shumta që Putini ka hasur gjatë konfliktit në Ukrainë, udhëheqësit rus nuk i është zbehur aspak dëshira për të provokuar një luftë më të gjerë evropiane.

Por, agresioni i Putinit po i kushton gjithashtu gjithnjë e më shtrenjtë vetë Rusisë. Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 154 miliardë paundë [180.44 miliardë euro] vitin e ardhshëm – më shumë se dyfishi i buxhetit të mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dhe dukshëm mbi shtatë përqind e PBB-së – vetëm sa do t’ua shtojë vështirësitë rusëve të zakonshëm për të cilët kostoja personale e konfliktit në Ukrainë po bëhet shumë e qartë.

Kjo rritje do të thotë se rreth 35 përqind e buxhetit të përgjithshëm të Kremlinit do të shpenzohet për një konflikt i cili, kur Putini nisi për herë të parë “operacionin e tij special ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, supozohej të zgjaste më së shumti disa javë.

Që atëherë, vlerësohet se forcat e tij kanë pësuar 1.5 milion të vrarë e të plagosur, përfshirë 500 mijë të vdekur, ndërsa fushata e tij ushtarake ka përfunduar, në thelb, në një ngërç. Ndikimi i konfliktit mbi ekonominë ruse ka qenë po aq i rëndë, me të ardhurat familjare në rënie dhe me shpenzimet publike për shërbimet thelbësore – si shëndetësia dhe arsimi – të shkurtuara në mënyrë drastike. Disa rajone ruse i kanë shkurtuar shpenzimet për shëndetësinë me më shumë se një të tretën vetëm gjatë këtij viti.

As nuk ka shumë gjasa për ndonjë rimëkëmbje të fatit ekonomik të Rusisë, teksa sanksionet perëndimore vazhdojnë të ndikojnë në aftësinë e Moskës për t’i mbajtur eksportet e naftës dhe gazit në nivelet e para luftës. Sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë po japin efekte po aq të dëmshme. Zona të gjera të Rusisë vuajtën nga mungesat e karburantit gjatë verës.

Prandaj, vendimi i Putinit për të devijuar edhe më shumë nga burimet e vendit drejt furnizimit të makinerisë së luftës të Kremlinit, duhet parë si një bast i dëshpëruar i cili në fund mund të çojë në shembjen e regjimit të tij despotik.

Plani i regjimit rus për ta rritur pjesën e buxhetit të caktuar për mbrojtjen në nivele të cilat nuk janë parë që nga shembja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duhet të shërbejë sigurisht si një kujtesë kthjelluese për rreziqet e mundshme me të cilat përballet Putini nëse basti i tij nuk jep rezultat.

Rritja e vrullshme e shpenzimeve sovjetike për mbrojtjen, që nga koha e Brezhnjevit [Brezhnev] në vitet ‘60 të shekullit XX e në vazhdim, e rënduar më tej nga ndërhyrja katastrofike ushtarake e Moskës në Afganistan nga viti 1979 deri më 1989, ishte një nga faktorët kyç që çoi përfundimisht në shpërbërjen e bllokut sovjetik. Përveç shtrembërimeve të mëdha ekonomike që shkaktoi, përfshirë mungesat e mallrave të konsumit, ajo krijoi interesa të fuqishme të ngulitura dhe joefikasitete të mëdha në kompleksin ushtarako-industrial. Konflikti në Ukrainë po rezulton po aq i kushtueshëm për Kremlinin sa aventura e dështuar sovjetike në Afganistan.

Për më tepër, ky ishte një aspekt të cilin Ratcliffe ishte i vendosur t’ua theksonte zyrtarëve rusë gjatë vizitës së papritur të drejtorit të CIA-s në Kremlin. Përveçse u tha troç mikpritësve të tij rusë se “Rusia po e humb luftën” në Ukrainë, ai u përpoq me ngulm t’u kujtonte se gjendja aktuale e rëndë e ekonomisë ruse tregonte të gjitha shenjat se vendi përballej me rrezikun e një shembjeje të stilit sovjetik.

Një raport i mëvonshëm i CIA-s për takimin, i shpërndarë mes agjencive perëndimore të inteligjencës, thoshte se Ratcliffe kishte arritur në përfundimin se ekonomia ruse “do të shembet, ashtu siç ndodhi me Bashkimin Sovjetik në fund të Luftës së Ftohtë”. Ndikimi i vazhdueshëm i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë do të ishte një faktor i rëndësishëm që do të kontribuonte në këtë proces.

Parë në kontekstin e paralajmërimit të Ratcliffeit, duket i pakuptimtë vendimi i Putinit për të devijuar burime të çmuara drejt rritjes së buxhetit të mbrojtjes, sidomos kur njoftimi vjen pasi i dërguari i tij i posaçëm, Kirill Dmitriev, u takua me zyrtarë amerikanë në fillim të kësaj jave për bisedime mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Nëse Putini është vërtet serioz për t’i dhënë fund luftës, atëherë pse t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes?

Mund të jetë që, pavarësisht dobësisë së qenësishme të pozitës së tij, Putini ende po përpiqet t’i dërgojë një mesazh administratës Trump se nuk e ka në mend të tërhiqet nëse nuk plotësohen kushtet e tij për paqe në Ukrainë. Por, duke përsëritur të njëjtat gabime që bëri Bashkimi Sovjetik duke i rritur shpenzimet e mbrojtjes në nivele të papërballueshme, udhëheqësi rus mund ta gjejë veten përfundimisht përballë të njëjtit fat si paraardhësit e tij sovjetikë. /Telegrafi/