​Ganimete Musliu lëshon mbledhjen e Komisionit për Administratë

Nacionale

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka lëshuar sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kundërshtuar rendin e paraparë për diskutim. Musliu tha se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë punimet rutinë në kohën kur qytetarët po kërkojnë që prioritet të jetë çështja e Dhomave të Specializuara […]

Madhësia e shkronjave

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka lëshuar sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kundërshtuar rendin e paraparë për diskutim.

Musliu tha se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë punimet rutinë në kohën kur qytetarët po kërkojnë që prioritet të jetë çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ajo kërkoi që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të jetë prioritet i Kuvendit, raporton KP.

“Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhjeje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Musliu.

Ajo theksoi se për këtë çështje, nuk duhet të ketë dallime politike ndërmjet deputetëve.

“Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë. Nuk ka rëndësi a jemi parti politike të ndryshme, nuk ka rëndësi a jemi nacionalitete të ndryshme, unë konsideroj që për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë çështje më prioritare se çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë”, deklaroi ajo.

Musliu tha se nuk e voton rendin e ditës dhe nuk do të merr pjesë në mbledhjen e komisionit.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Albert Kinolli, ka thënë se shpreson që së shpejti në Kuvend të procedohet amendamentimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kinolli tha se, sipas informacioneve që kanë marrë nga kryeministri, amendamentimi pritet të vijë së shpejti në Kuvend.

“Sipas informacioneve që i kemi nga kryeministri, ne urojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i ligjit, i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend, dhe urojmë më të mirën për luftëtarët e UÇK-së, të cilët padrejtësisht gjenden të gjykuar në Hagë. Uroj që ata çlirimtarë sa më shpejt të kthehen në shtetin tonë, në tokën e tyre, ku kanë dhënë kontribut për këtë liri dhe pavarësi, dhe po ashtu t’u bashkohen sa më shpejt familjeve të tyre”, tha ai.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të pengojë punën e këtij komisioni, pasi trajtimi i këtij ligji është në kompetencë të Komisionit për Legjislacion.

“Po mendoj që kjo nuk është çështje që duhet ta pengojë funksionimin e komisioneve, e aq më pak funksionimin e këtij komisioni parlamentar që s’ka të bëjë asgjë me trajtimin e këtij ligji, sepse është Komisioni për Legjislacion ai i cili ekskluzivisht do të merret me ligjin përkatës. Prandaj s’mendoj që duhet të pengohemi prej protestimeve ose kërkesave të tilla të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, sepse ne jemi qartë cila është fushëveprimtaria e këtij komisioni, prandaj duhet të ecim përpara dhe po shpresoj shumë që do të vazhdojmë të ecim përpara, sepse është fushëveprimtari e gjerë, ka një numër të konsiderueshëm të institucioneve të cilat pikërisht mbikëqyren prej këtij komisioni. Prandaj s’duhet asnjëherë të lejojmë që të pengohet puna e komisionit me kërkesa të tilla të cilat trajtohen prej një komisioni krejt tjetër, ndryshe prej tonit”, tha Hyseni.