Një dhëmb i prishur që lihet pa trajtuar mund të kalojë në faza gjithnjë e më serioze.
Për këtë ka paralajmëruar stomatologu dhe kirurgu oral Berat Lenjani në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, që mbështetet nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.

Mesazhi i stomatologut Lenjani është që problemet dentare të mos lihen të përparojnë deri në fazën kur trajtimi bëhet më kompleks.
“Nëse neglizhohet ose trajtimi shtyhet, infeksionet odontogjene janë mjaft të rrezikshme”, tha Lenjani, duke shpjeguar më pas se si mund të zhvillohet problemi.
Sipas tij, procesi mund të nisë nga kariesi, i cili fillimisht prek smaltin e dhëmbit dhe më pas mund të kalojë në dentinë. Nëse gjendja vazhdon të përparojë, mund të preket edhe indi pulpar, përkatësisht nervi i dhëmbit.
Në rast se nuk ndërhyhet, Lenjani tha se gjendja mund të kalojë në infeksion, nekrozë dhe procese të tjera rreth rrënjës së dhëmbit, deri në krijimin e një abscesi. /Telegrafi/





