Rama: Sazani mbetet shtetëror, Zvërneci pronë private – publikon detaje të procedurave për investimet

Nacionale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me projektet e investimeve në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, duke publikuar një përmbledhje të detajuar mbi statusin ligjor dhe procedurat që po ndiqen për të dy rastet. Rama thekson se ishulli i Sazanit mbetet pronë shtetërore dhe nuk është shitur apo kaluar në […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me projektet e investimeve në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, duke publikuar një përmbledhje të detajuar mbi statusin ligjor dhe procedurat që po ndiqen për të dy rastet.

Rama thekson se ishulli i Sazanit mbetet pronë shtetërore dhe nuk është shitur apo kaluar në pronësi private, duke sqaruar se çdo zhvillim i mundshëm në këtë zonë do të bëhet përmes pjesëmarrjes së shtetit në investim.

Sipas tij, aktualisht nuk ka marrëveshje përfundimtare, ndërsa negociatat janë ende në zhvillim e sipër. Ai shton se investitorët kanë kryer vetëm studime paraprake zhvillimore, ndërsa projekti arkitektonik dhe vlerësimi mjedisor ende nuk janë dorëzuar.

Sa i përket zonës së Zvërnecit, Rama sqaron se bëhet fjalë për tokë private të regjistruar në kadastër, e cila është blerë nga investitorët përkatës dhe, sipas tij, nuk ka lidhje me pronë shtetërore.

Ai thekson se në këtë zonë ekzistojnë edhe pretendime të ndryshme pronësore, të cilat janë në shqyrtim gjyqësor, por kjo nuk e ndalon zhvillimin apo transaksionet e pronës private, sipas ligjit.

Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se në rastin e njërit prej shitësve të pronës, SPAK ka vendosur që shuma e transaksionit të depozitohet në një llogari të ngrirë deri në përfundim të hetimeve, duke garantuar, sipas tij, mbrojtjen e interesit publik dhe të pronësisë së mundshme.

Rama ka bërë të ditur se projekti në Zvërnec është në fazë të hershme procedurale, ku janë miratuar disa hapa planifikimi, por ende nuk është dhënë leja përfundimtare e ndërtimit. Ai shton se procesi i vlerësimit mjedisor është në zhvillim dhe kërkon një analizë të thelluar të ndikimeve në biodiversitet dhe ekosisteme.

Sipas tij, zona “Pishë Poro–Nartë” mbetet zonë e mbrojtur dhe nuk ka ndryshim statusi, ndërsa çdo zhvillim duhet të kalojë përmes standardeve ligjore dhe mjedisore kombëtare dhe të Bashkimit Evropian.

Në fund të reagimit, Rama ka theksuar se Shqipëria po ecën drejt një modeli zhvillimi të qëndrueshëm dhe se, siç thotë ai, “faktet janë më të forta se spekulimet”, duke mbrojtur qasjen e qeverisë në menaxhimin e investimeve strategjike.