Gruaja që dy vite më parë paditi reperin Jay-Z, me akuzën për sulm seksual, ka tërhequr tërësisht pretendimet e saj ndaj tij. Në një deklaratë të re të dorëzuar në gjykatë, ajo ka thënë se akuzat nuk ishin të vërteta dhe se reperin nuk e kishte takuar kurrë.
Ajo ka deklaruar gjithashtu se, përpara se emri i reperit të përfshihej në padinë e dhjetorit të vitit 2024, u kishte thënë avokatëve të saj se kishte disa “vështirësi psikologjike”, raporton Rolling Stone.
“Shawn ‘Jay-Z’ Carter nuk më ka përdhunuar kurrë. Nuk e kam takuar kurrë zotin Carter dhe nuk kam folur me të. Zoti Carter nuk është sjellë kurrë në mënyrë të papërshtatshme ndaj meje”, ka shkruar gruaja në një deklaratë prej 11 faqesh, të dorëzuar në Gjykatën Federale në Manhattan dhe të siguruar nga Rolling Stone.
“Asgjë nga ato për të cilat e kam akuzuar zotin Carter nuk është e vërtetë”, ka shtuar ajo, duke e dhënë deklaratën nën betim dhe nën paralajmërimin për pasojat e dëshmisë së rreme.

“E kuptoj se akuzat e mia të rreme i kanë shkaktuar zotit Carter dhimbje, vuajtje dhe dëme të mëdha, të cilat nuk mund të korrigjohen kurrë plotësisht”, ka deklaruar ajo.
Deklarata iu dorëzua gjykatës të enjten, së bashku me njoftimin se Carter po tërhiqte vullnetarisht padinë e tij ndaj gruas. Megjithatë, ajo vazhdon të ndjekë një proces gjyqësor ndaj avokatit Tony Buzbee dhe firmës së tij ligjore në Teksas, duke i akuzuar për nisje të qëllimshme të një procesi gjyqësor.
Gruaja ka theksuar se për deklaratën e re nuk i është premtuar dhe nuk ka marrë asnjë pagesë.
Avokati i ri: Ajo gaboi kur akuzoi Carter
“Klientja jonë vazhdon të pretendojë se ka qenë viktimë e një sulmi seksual, por ka gabuar plotësisht kur ka identifikuar zotin Carter si autorin dhe këto akuza kanë qenë të rreme”, ka deklaruar avokati i saj i ri, James Blair Newman Jr.
“Zoti Carter nuk e ka përdhunuar, nuk e ka sulmuar seksualisht dhe nuk është sjellë në asnjë mënyrë të papërshtatshme ndaj saj. Ajo nuk e ka takuar kurrë. Ajo i kërkon sinqerisht dhe pa kushte falje zotit Carter dhe familjes së tij”, ka shtuar ai.
Deklarata e re vjen më shumë se një vit pasi Jay-Z paditi gruan dhe avokatët e saj. Reperi kishte pretenduar se ata kishin tentuar ta detyronin të pranonte një marrëveshje të fshehtë financiare, duke e kërcënuar me dëme të mëdha ndaj reputacionit të tij.
Padia e reperit ishte kundërpërgjigje ndaj një procesi të nisur nga e njëjta grua në tetor të vitit 2024. Në atë kohë, ajo akuzoi Sean “Diddy” Combs se e kishte përdhunuar kur ajo ishte 13 vjeçe, ndërsa pretendonte se në ngjarje kishte marrë pjesë edhe një “personazh i famshëm mashkull”, të cilin fillimisht nuk e kishte identifikuar.
Jay-Z ka pretenduar se në nëntor të vitit 2024 Buzbee i kishte dërguar një letër ku kërkonte një marrëveshje. Pasi Carter refuzoi të paguante, në dhjetor padia u ndryshua dhe emri i Jay-Z u përfshi si i dyshuari i dytë.
Jay-Z: U ndjeva sikur më mbanin armën në kokë
Reperi i kishte mohuar me vendosmëri akuzat sapo ato u bënë publike. Ai kishte bërë të ditur gjithashtu se në nëntor të vitit 2024, në një gjykatë në Kaliforni, kishte paditur në mënyrë anonime Buzbee-n, duke e akuzuar për shantazh.
Në një deklaratë nën betim, Jay-Z kishte thënë se letrën e avokatit e kishte përjetuar si një “kërcënim ekzistencial”.
“U ndjeva sikur zoti Buzbee po më mbante një armë në kokë dhe se duhej ose të pranoja kërkesat e tij, ose të përballesha me shkatërrim personal dhe financiar”, kishte shkruar ai.
Gruaja e kishte tërhequr vullnetarisht në fillim të vitit 2025 padinë e saj ndaj Carter dhe Combs, pasi ishin shfaqur mospërputhje në rrëfimin e saj.
Më pas, gjykata hodhi poshtë padinë e Carter ndaj Buzbee për shantazh në Kaliforni, vendim që u konfirmua edhe nga gjykata e apelit. Gjykata arsyetoi se letra e Buzbee ishte e mbrojtur, pasi ishte dërguar në kuadër të përgatitjeve për një proces të mundshëm gjyqësor.
Buzbee: Nëse tani thotë se ka gënjyer, kjo është diçka e re
Buzbee ka deklaruar për Rolling Stone se ende nuk e kishte parë deklaratën e re të gruas.
“Kemi disa avokatë që kanë punuar me zonjën Doe shumë kohë përpara se ajo të më takonte mua. Secilit prej tyre ajo i ka treguar të njëjtën histori. Nëse tani, për çfarëdo arsye, pretendon se ka gënjyer ne dhe gjykatën, kjo është një e dhënë e re”, ka shkruar ai.
Buzbee kishte deklaruar më herët se “dërgimi i një letre të zakonshme për kërkesë marrëveshjeje përpara ngritjes së një padie nuk është dhe nuk do të jetë kurrë shantazh”.
Në deklaratën e re, gruaja ka treguar më në detaje se si nisi i gjithë rasti. Në fund të shtatorit 2024, ajo pretendon se në Facebook kishte parë një njoftim ku kërkoheshin persona që kishin akuza për sulme seksuale ndaj Sean Combs. Ajo plotësoi një formular dhe më pas u kontaktua për të dhënë më shumë informacione.
Gjatë bisedave, ajo kishte thënë se kishte qenë modele dhe se në vitin 2000 kishte marrë pjesë në një festë pas ceremonisë së Teen Choice Awards. Megjithatë, në padinë e mëvonshme thuhej se bëhej fjalë për një festë pas MTV Video Music Awards.
“Nisa të dyshoja nëse kisha qenë ndonjëherë në një festë me personazhe të famshëm”
Gruaja pretendon gjithashtu se padia e parë ndaj Combs ishte dorëzuar pa dijeninë e saj dhe se avokatët nuk kishin kryer një hetim të pavarur për pretendimet e saj.
Ajo ka deklaruar se avokatët i kishin dhënë 1,200 dollarë cash kur në dhjetor 2024 kishte udhëtuar drejt Houstonit për një intervistë për NBC News. Sipas saj, avokatët i kishin kërkuar gjithashtu t’i nënshtrohej një testi poligrafi për shkak të mospërputhjeve në rrëfimin e saj, por ajo thotë se nuk i kishte marrë kurrë rezultatet e testit.
“Në janar 2025, nisa të dyshoja në pretendimet e mia ndaj zotit Carter. Gjithashtu nisa të dyshoja nëse kisha qenë ndonjëherë në një festë me persona të famshëm”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, pasi u kishte thënë avokatëve se nuk ishte më e sigurt për pretendimet e saj, ata e kishin njoftuar se do ta tërhiqnin padinë.
Buzbee ka thënë për Rolling Stone se beson se gruaja kishte marrë “një shumë të vogël parash” për ushqim dhe shpenzime udhëtimi. Ai ka këmbëngulur gjithashtu se të gjitha dokumentet gjyqësore i ishin shpjeguar asaj në detaje, përfshirë letrën fillestare për kërkesën e marrëveshjes.
Buzbee dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kërkuar rrëzimin e akuzave të Carter ndaj tyre, duke e cilësuar padinë e reperit si “të papërshtatshme” dhe “dashakeqe”. Ndërkohë, avokatët e Combs i kanë mohuar veçmas akuzat e bëra ndaj klientit të tyre, duke deklaruar se ai “nuk ka sulmuar seksualisht dhe nuk ka trafikuar kurrë njerëz”. /Telegrafi/





