Ekspertja për siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Ivana Stradner, ka komentuar zhvillimet politike në Serbi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke tërhequr vëmendjen te raportet e Beogradit me Moskën.
Stradner ka deklaruar se, derisa Serbia po përgatitet për zgjedhjet e tetorit, përfaqësues të Qeverisë serbe po marrin pjesë në Rusi në një panel që lidhet me sovranitetin zgjedhor.

“Regjimi i Vuçiqit po përgatitet për zgjedhjet në tetor dhe Qeveria e Serbisë po merr pjesë në një panel për sovranitetin zgjedhor në Rusi, ku Lavrov sapo mbajti një fjalim”, ka shkruar Stradner.
Deklarata e saj vjen në kohën kur Serbia ka hyrë zyrtarisht në fushatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 9 shtator shpërndau Kuvendin dhe caktoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 25 tetor 2026. Vendimi u mor pas propozimit të Qeverisë së Serbisë të 7 shtatorit.
Stradner, e cila është hulumtuese në Foundation for Defense of Democracies, ka ngritur edhe më herët shqetësime lidhur me mundësinë e ndërhyrjes së huaj në proceset politike dhe zgjedhore në Serbi.
Në një dëshmi të publikuar më 16 shtator, ajo e cilësoi procesin zgjedhor të 25 tetorit si një moment të rëndësishëm për Serbinë, duke ngritur çështjen e ndikimit të huaj dhe integritetit të zgjedhjeve. /Telegrafi/





