Qytetarja publikon gjendjen në Pediatrinë e QKUK-së: Nuk po kërkojmë luks, por minimumin

Nacionale

Qytetarja Aulonë Memeti ka publikuar një reagim të gjatë në rrjetin social Facebook, ku përshkruan përvojën e saj gjatë qëndrimit me djalin dyvjeçar në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke ngritur shqetësime për kushtet, higjienën dhe organizimin e shërbimeve. Në hyrje të reagimit të saj, Memeti përdor një krahasim me […]

Madhësia e shkronjave

Qytetarja Aulonë Memeti ka publikuar një reagim të gjatë në rrjetin social Facebook, ku përshkruan përvojën e saj gjatë qëndrimit me djalin dyvjeçar në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke ngritur shqetësime për kushtet, higjienën dhe organizimin e shërbimeve.

Në hyrje të reagimit të saj, Memeti përdor një krahasim me veprën “Komedia Hyjnore” të Dante Alighierit, duke shkruar se autori italian “nuk e kishte vizituar Pediatrinë e QKUK-së”, për të ilustruar vështirësitë që, sipas saj, përjetojnë prindërit në sistemin publik shëndetësor.

Ajo tregon se djali i saj dyvjeçar, Gjergji, ishte dërguar në Pediatri pas disa ditësh me të vjella dhe diarre, ku mjekët vendosën që të shtrohej për trajtim.

Sipas Memetit, familja fillimisht priti që të pranohej në repart, ndërsa më pas u përball me vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, duke pretenduar se fëmija u shpua disa herë deri në kryerjen e procedurës.

Në reagimin e saj, ajo shpreh shqetësim edhe për organizimin e dhomave të pacientëve. Sipas saj, familjes iu tha të vendosej në një dhomë ku ndodhej një pacient me sëmundje ngjitëse, duke u këshilluar vetëm që të shmangnin kontaktin me të për shkak të mungesës së hapësirave të tjera.

Memeti kritikon gjithashtu kushtet në repart, duke pretenduar se shtrati kishte njolla, mungonin çarçafët e pastër, sapuni dhe mjetet bazike të higjienës, ndërsa tualetet, sipas saj, nuk ofronin privatësi dhe nuk ishin në gjendje të përshtatshme.

Ajo thotë se gjatë qëndrimit mori edhe një përgjigje nga një infermiere, e cila i tha se një nënë duhet të jetë e gatshme të kalojë natën ulur në karrige për fëmijën e saj. Memeti shkruan se nuk kërkon luks apo dhoma private, por kushte minimale për trajtimin e fëmijëve.

“Nuk po kërkojmë luks. Nuk po kërkojmë dhoma private. Nuk po kërkojmë televizor. Po kërkojmë pastërti, sapun, një çarçaf të pastër, një dyshek pa njolla, privatësi elementare dhe masa bazike të kontrollit të infeksioneve”, shkruan ajo.

Memeti përshkruan edhe një situatë gjatë largimit nga spitali, ku, sipas saj, pati pritje dhe moskoordinim mes ndërrimeve të infermierëve për heqjen e kanilës së fëmijës.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ka reaguar lidhur me pretendimet e ngritura nga Aulonë Memeti.