Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se shpreson që Aleksandar Vuçiq, i cili më 27 shtator dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë, të rikthehet në një rol tjetër të rëndësishëm politik – atë të kryeministrit.
Duke folur në seancën plenare të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimeve Valdaj, Putin tha se udhëheqja aktuale e Serbisë po ndjek një politikë të përmbajtur dhe po tregon gatishmëri për bashkëpunim me Rusinë.
“Udhëheqja aktuale e Serbisë, deri vonë presidenti, ndërsa në të ardhmen, shpresoj, kryeministri Aleksandar Vuçiq, po ndjek një politikë të përmbajtur dhe po tregon gatishmëri për bashkëpunim me Rusinë”, tha Putin.
Ai shtoi se Moska e mirëpret këtë qasje dhe se Rusia do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Putin foli gjithashtu për pozitën e serbëve në Evropë, duke iu referuar edhe Marrëveshjes së Dejtonit.
Diktatori rus theksoi se Rusia do të vazhdojë përpjekjet për ruajtjen e lidhjeve me Serbinë, duke vënë në pah marrëdhëniet e veçanta mes dy popujve.
Ai gjithashtu falënderoi përfaqësuesit e Serbisë për pjesëmarrjen në ceremonitë për shënimin e 81-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Klubi Valdaj, ku Putin bëri deklaratat, është një forum ndërkombëtar ku marrin pjesë ekspertë rusë dhe të huaj nga fusha e politikës, ekonomisë, historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Klubi u themelua në vitin 2004. /Telegrafi/






