Sot në mbledhjen e Këshillit të Lidhjes Demokratike të Kosovës u vendos që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për presidente dhe bartëse e listës si dhe Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër.
Dy figura të LDK-së, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami të cilët kanë shprehur pakënaqësi për “kthimin” e Vjosa Osmanit në LDK nuk kanë marr pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
E lidhur me mospjesëmarrjen e tyre në mbledhje është pyetur sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ata janë pjesë e listës sonë garuese do të vazhdojnë angazhimin. Jo në të gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së, por ata janë pjesë e listës…”, tha ai.
Por, se a janë kundër “kthimit” të Vjosa Osmanit në LDK, Abdixhiku tha tutje “Po nuk mund të jesh edhe pjesë e listës edhe të jesh kundër. Nuk ka logjikë. Nëse je kundër dikujt i del përballë, jo bashkë, jemi bashkë”.
Ndërkaq, lidhur me mospjesëmarrjen e Hotit dhe Bajramit edhe në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ditë më parë, edhe mospjesëmarrjen sot në Këshill të Përgjithshëm, Abdixhiku u tha se gazetarëve se duhet t’i pyesin vetë ata.
“Pyesni vetë ata…. ata janë pjesë e LDK-së”.
Por, tutje kryetari i LDK-së se rreth përbashkimit të LDK-së, jo të gjithë mund ta ndjejnë ashtu siç po e ndjen anëtarësia e LDK-së.
“Rreth përbashkimit jo të gjithë mund ta ndjejnë ashtu siç po e ndjen anëtarësia e LDK-së, por të gjithë do të respektojnë anëtarësinë e LDK-së. Ky është vullnet i anëtarësisë së LDK-së.
Besoj se do ta ndjenë se kur je në listë të LDK-së, kur të prin Vjosa edhe kur e ke Vjosën kandidate për presidente dhe kryetarin e partisë tënde kandidat për kryeministër. Do të angazhohemi të gjithë për sa më shumë unitet e bashkim”, tha ai.
Kryetari i LDK-së theksoi tutje se nuk duhet të nxirren tema të paqena, pasi sipas tij, ky është momentumi i LDK-së. /Telegrafi/





