Kompanitë e sigurisë kibernetike prej më shumë se një dekade u vendosin emra grupeve të hakerëve.
Por, meqë secila kompani përdor sistemin e vet, shpesh është e vështirë të kuptohet nëse bëhet fjalë për të njëjtin grup. Për këtë arsye, Google ka vendosur të ndryshojë mënyrën e emërtimit.

Emrat e vjetër, si APT1 dhe APT41, të përdorur nga Mandiant, po zëvendësohen me një sistem më të thjeshtë. Grupet do të marrin emra të rastësishëm, ndërsa shkronja e parë e emrit do të tregojë vendin e origjinës. Për shembull, Castle lidhet me Kinën, Ion me Iranin, Neptune me Korenë e Veriut dhe Relic me Rusinë.
Shane Huntley, drejtues i ekipit të Google Threat Intelligence, thotë se sistemi i vjetër ishte bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u menaxhuar. Google sot monitoron më shumë se 5,000 klasterë aktiviteti, ndërsa numri i grupeve dhe aktorëve kibernetikë është rritur ndjeshëm.
Emërtimi i grupeve nuk është vetëm çështje terminologjie. Ai ndihmon ekspertët të kuptojnë kush qëndron pas sulmeve, cilat janë objektivat dhe si veprojnë hakerët. Njohja e modeleve të një grupi, si në rastin e grupit koreano-verior Lazarus, mund të ndihmojë në parandalimin dhe reagimin më të shpejtë ndaj sulmeve.
Sipas Huntley, gjurmimi i grupeve të sponsorizuara nga shtetet është më i lehtë sesa gjurmimi i grupeve kriminale, pasi shtetet kanë objektiva më të qëndrueshme. Grupet kriminale, në të kundërt, shpesh ndryshojnë anëtarë, bashkohen ose shpërbëhen.
Megjithatë, një sistem universal emërtimi mbetet i vështirë për t’u krijuar, pasi asnjë kompani nuk ka qasje në të gjitha të dhënat. Me integrimin e sistemeve të Mandiant dhe Google, kompania synon të krijojë një mënyrë më të qartë dhe më të thjeshtë për identifikimin e grupeve të hakerëve. /Telegrafi/





