Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar pas arrestimit të Skënder Llugiqit, i cili gjatë vizitës së tij në Kuvendin e Kosovës dyshohet se bëri thirrje për vrasjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ramadani, përmes një postimi, ka përmendur edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duke thënë se ai ndodhej në Kuvend në kohën kur Llugiqi bëri deklaratën.
Sipas Ramadanit, Skënder Llugiqi është familjar i Rrustemit nga ana e dajës.
“Adnan Rrustemi ishte sot në Kuvend në kohën kur familjari i tij kah dajët, Skënder Llugiqi, bëri thirrje për vrasje të Ramush Haradinajt”, ka shkruar Ramadani.
Tutje, Ramadani ka bërë pretendime lidhur me familjen Llugiqi nga Dobraja e Lipjanit, duke e lidhur atë familje me Tefik Llugiqin, për të cilin ka përdorur akuza të rënda lidhur me të kaluarën e tij politike.
“Kjo pjesë e familjes Llugiqi nga Dobraja e Lipjanit janë një derë me Tefik Llugiqi, tradhëtarin e famshëm që i shërbeu Millosheviqit”, ka shkruar ai.
Ramadani ka kritikuar Rrustemin për faktin se, sipas tij, deri në momentin e reagimit të tij nuk kishte parë ndonjë deklaratë distancimi apo dënimi nga ana e deputetit të Vetëvendosjes për thirrjen e bërë nga Llugiqi.
“Nuk e pashë ende që Adnan Rrustemi u distancua apo dënoi thirrjen për vrasje që bëri i afërmi i tij, Skënder Llugiqi. Çka me thënë më shumë në këtë rast?!”, ka shkruar Ramadani.
Gjatë të mërkurës, në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, Llugiqi ka bërë thirrje për pushkatim të Haradinajt, duke deklaruar: “Nëse duhet me u dënu Milan Radojiçiqi me 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me 40 vjet, 50, 100 vjet. Duhet me u pushkatu”.
Skënder Llugiqi është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës./Telegrafi.






