Shtëpia e Bardhë e ka quajtur aktorin e “Star Wars”, Mark Hamill, “të sëmurë”, pasi ai postoi një imazh të gjeneruar nga Al të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në një varr, së bashku me mbishkrimin “sikur”.
Imazhi, i postuar në llogarinë Bluesky të Hamill, tregonte Trumpin të shtrirë me sy mbyllur, pranë një guri varri me mbishkrimin “Donald J. Trump 1946-2024”.
Hamill, i cili luajti rolin e Luke Skywalker në filmat origjinalë të Star Wars nga viti 1977 e tutje, më vonë e fshiu postimin dhe kërkoi falje.
“Në fakt, po i uroja të kundërtën e vdekjes, por kërkoj falje nëse e gjetët imazhin të papërshtatshëm”, tha ai.
Në postimin i cili tani është fshirë, Hamill shkroi se Trump “duhet të jetojë mjaftueshëm gjatë për të dëshmuar humbjen e tij të pashmangshme shkatërruese në zgjedhjet e mesit të mandatit, të mbahet përgjegjës për korrupsionin e tij të paparë, të shkarkohet, të dënohet dhe të poshtërohet për krimet e tij të panumërta”.
“Mjaftueshëm gjatë për të kuptuar se do të turpërohet në librat e historisë, përgjithmonë”, tha Hamill.
Ekipi i shtypit i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj, duke e quajtur Hamill “një individ të sëmurë”.
“Këta të çmendur të së majtës radikale thjesht nuk mund ta përmbahen”, deklaroi Shtëpia e Bardhë.
“Kjo lloj retorike është pikërisht ajo që ka frymëzuar tre atentate për vrasje në dy vjet kundër presidentit tonë”, shtoi ajo. /Telegrafi/






