Policia e Kosovës ndërmerr masa në aspektin e sigurisë, për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill-2026’

Magazina

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë vit ka hartuar urdhrin operativ “Festivali Sunny Hill 2026”, përmes të cilit janë planifikuar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas njoftimit zyrtar, […]

Madhësia e shkronjave

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë vit ka hartuar urdhrin operativ “Festivali Sunny Hill 2026”, përmes të cilit janë planifikuar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Sipas njoftimit zyrtar, duke u bazuar në përvojën e viteve të kaluara, numrin e madh të pjesëmarrësve dhe karakteristikat e festivalit, Policia e Kosovës ka angazhuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh policorë me detyra specifike në zonën e festivalit, si dhe patrulla shtesë në të gjithë rajonin e përgjegjësisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se angazhimet policore do të përfshijnë masa parandaluese, koordinuese dhe operative për të garantuar rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas festivalit.

Po ashtu, policia do të kujdeset për sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës ku zhvillohet festivali, monitorimin e rendit publik, identifikimin e personave që bien ndesh me ligjin dhe ndërmarrjen e masave ligjore në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe trafikut rrugor. Policia ka paralajmëruar se, për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe vizitorëve, do të ketë bllokime të plota ose të pjesshme të rrugëve që çojnë drejt zonës së festivalit, si dhe ridrejtim të trafikut sipas nevojës.

Për këtë arsye, qytetarëve u është kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim me autoritetet.

Policia ka apeluar që pjesëmarrësit të shfrytëzojnë transportin e organizuar nga organizatorët e festivalit nga Prishtina drejt Bërnicës dhe anasjelltas, pasi kjo do të lehtësojë qasjen në festival. Sipas njoftimit, në zonën e festivalit do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e autorizuara dhe ato me leje parkimi.

Autoritetet kanë theksuar se, varësisht nga situata në terren, mund të ndërmerren masa shtesë për ridrejtimin e trafikut ose orientimin e pjesëmarrësve, të cilët do të udhëzohen nga zyrtarët policorë në pikat përkatëse.

Në fund, Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët dhe vizitorët që të respektojnë udhëzimet dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, me qëllim që Sunny Hill Festival 2026 të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të sigurt dhe pa incidente. /Telegrafi/