Mesfushori i Borussia Dortmund, Felix Nmecha, është shndërruar në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve, me disa prej klubeve më të mëdha evropiane që po monitorojnë situatën e tij.
Sipas raportimit të Sky Sport Germany, Manchester United ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar 25-vjeçarin, megjithëse nuk është i vetmi klub i interesuar për shërbimet e tij.
Nmecha po kalon një formë të shkëlqyer, duke spikatur jo vetëm me Dortmundin në Bundesliga, por edhe me kombëtaren e Gjermanisë në Kupën e Botës. Ai shënoi ndaj Curaçaos dhe asistoi golin e fitores së Deniz Undav në suksesin 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, paraqitje që kanë rritur edhe më shumë interesimin për të.
Gjithnjë sipas Sky Sports, drejtori i departamentit të skautimit te Manchester United, Christopher Vivell, është në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit pranë mesfushorit gjerman. Megjithatë, “Djajtë e Kuq” përballen me konkurrencë të fortë, pasi edhe Manchester City, Liverpool dhe Real Madrid po e ndjekin nga afër situatën.
Pavarësisht interesimit të madh, një transferim gjatë kësaj vere nuk duket i lehtë. Nmecha rinovoi kontratën me Dortmundin deri në vitin 2030 vetëm në muajin mars dhe marrëveshja nuk përmban klauzolë largimi.
Drejtuesit e klubit gjerman e konsiderojnë atë një pjesë kyçe të skuadrës. Këtë e kishte konfirmuar edhe drejtori sportiv, Lars Ricken, i cili në fund të muajit maj deklaroi se Nmecha është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.
Për këtë arsye, Borussia Dortmund ndodhet në një pozitë të favorshme në çdo negociatë të mundshme dhe do të shqyrtonte vetëm oferta shumë të larta financiare për të lejuar largimin e mesfushorit gjerman. /Telegrafi/






