Kroacia po e ndjek me shqetësim rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, ndërsa zyrtarët më të lartë të sigurisë në Zagreb kanë paralajmëruar se përmasat dhe shpejtësia e armatosjes së Beogradit kërkojnë vëmendje të shtuar.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, e ka cilësuar procesin e armatosjes së Serbisë si “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se Zagrebi po e monitoron nga afër zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të fqinjit lindor.
Plenkoviq e përshkroi mënyrën e blerjes së armatimit nga Serbia si një lloj “shporte blerjesh” në tregjet ndërkombëtare, duke ngritur pyetjen se përse Beogradi po investon në një shkallë kaq të madhe në forcimin e ushtrisë.
Sipas kryeministrit kroat, kjo çështje është diskutuar në mbledhjet e Këshillit për Mbrojtje dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kroacisë, ndërsa Zagrebi ka zhvilluar diskutime edhe me partnerët e tij ndërkombëtarë.
Plenkoviq tha se Kroacia, si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, po ndërmerr hapa për forcimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse. Sipas tij, buxheti kroat për mbrojtjen është trefishuar gjatë dekadës së fundit.
Ai theksoi se forcimi i ushtrisë kroate nuk paraqet kërcënim për vendet e tjera, por synon parandalimin e përsëritjes së konflikteve dhe agresionit të viteve ’90.
Anushiq: Serbia po armatoset intensivisht prej një dekade
Më i drejtpërdrejtë ishte ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, i cili në konferencën ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes në Zadër tha se Kroacia është e vetëdijshme për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Sipas Anushiqit, Serbia ka rreth dhjetë vjet që po investon intensivisht në sisteme të avancuara të armatimit.
Ministri kroat kritikoi edhe retorikën politike të Beogradit, të cilën e përshkroi si “sulmuese” dhe “armiqësore”, duke e lidhur atë me konfliktet e viteve ’90 në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Anushiq tha se retorika politike serbe, sipas tij, përfshin edhe pretendimin se territori i Republikës së Kosovës është pjesë e Serbisë.
Në deklaratat e tij, ministri kroat iu referua edhe raportimeve për zhvillimin ose blerjen e sistemeve raketore me rreze të gjatë veprimi nga Serbia. Ai përmendi pretendimet për raketa hipersonike me rreze deri në 400 kilometra, duke thënë se këto zhvillime kanë ndikuar në vendimin e Zagrebit për të forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse.
Sipas Anushiqit, synimi i Kroacisë është rikthimi i një ekuilibri të forcave në rajon, përmes forcimit të kapaciteteve të saj dhe bashkëpunimit me aleatët.
Në këtë kuadër, ai veçoi edhe Kosovën dhe Shqipërinë, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të madh në fushën e mbrojtjes.
Anushiq deklaroi se bashkëpunimi ushtarak dhe mbrojtës ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës është aktualisht në nivelin më të lartë.
Deklaratat e zyrtarëve kroatë vijnë në një kohë kur Serbia po zgjeron dhe diversifikon furnizimin me armatim nga burime të ndryshme, ndërsa Kroacia, si pjesë e NATO-s, po përshpejton modernizimin e forcave të saj të armatosura, raporton Index.hr, transemton Telegrafi.






