Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.
Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, ajo shpalosi qëndrimet e PDK-së, duke i bërë thirrje partisë në pushtet të ndalë, veprimet antikushtetuese.
“Dua të apeloj tek partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime ‘karateje’ të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, tha Çitaku.
Ajo i është drejtuar edhe kandidates për presidente, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara.

“Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurti, që është e dëmshme për shtetin dhe atë vet”, u shpreh ajo.
Çitaku ka shprehur keqardhje për përfshirjen e saj në këtë proces.
“Sinqerisht më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike”, deklaroi ajo.
Në fund, ajo theksoi se vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por i bëri sërish thirrje të tërhiqet.
“Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqërinë civile, por puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit është të largohet nga kjo garë”, tha Çitaku.
Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe përbëjnë rrezik për rendin kushtetues.
“Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë dhe së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të tensioneve në Kuvend.
“Stop dhunës politike në Kuvend, stop veprimeve antikushtetuese”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/





