Britney Spears ka njoftuar se po kalon një ‘udhëtim shpirtëror’, pak pasi pranoi fajësinë në një çështje që lidhej me drejtimin e makinës nën ndikimin e alkoolit, çka bëri që dënimi i saj të lehtësohej.
Të shtunën, ajo publikoi në Instagram një foto të një gjarpri që kishte parë në një dyqan kafshësh, teksa ishte me djemtë e saj Sean Preston dhe Jayden James.
Krahas fotos, Spears shkroi se gjarpërinjtë janë simbol i shëndetit të mirë, vetëdijes më të lartë dhe lumturisë së pastër.

Ajo falënderoi gjithashtu miqtë dhe njerëzit e rinj që ka njohur muajt e fundit, duke e quajtur këtë periudhë ‘një bekim i maskuar’ dhe shtoi se po mëson të jetë më e butë me veten dhe me mënyrën si i flet vetes.
Postimi erdhi pasi ajo pranoi fajësinë për një akuzë që rridhte nga arrestimi i 4 marsit.
Avokati i saj pranoi një marrëveshje që akuza të kthehej në shkelje më të lehtë, gjë që zakonisht ndodh kur personi nuk ka pasur aksidente të mëparshme dhe ka pasur nivel më të ulët të alkoolit në gjak.
Gjykata i caktoi një vit kusht me mbikëqyrje joformale dhe ndjekjen e detyrueshme të një kursi tre-mujor për alkoolin.
Avokati Michael Goldstein tha për Page Six se me pranimin e fajësisë, Britney ka marrë përgjegjësi për veprimet e saj dhe ka ndërmarrë hapa drejt ndryshimeve pozitive, çka sipas tij ndikoi që prokuroria e qarkut Ventura ta zbusë akuzën dhe të heqë dorë nga akuza për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Raportohet gjithashtu se Spears më 12 prill u paraqit vullnetarisht në rehabilitim dhe pas daljes u pa për herë të parë më 30 prill. /Telegrafi/





