Betim Fazliji është rikthyer te Kombëtarja e Kosovës pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë, teksa mesfushori kosovar ka marrë ftesë për ndeshjet e muajit qershor ndaj Çekisë dhe Andorrës.
Ky rikthim vjen pas më shumë se tri vitesh të mbushura me lëndime, rehabilitim dhe momente të rënda, që e lanë Fazlijin larg fanellës dardane dhe jashtë ritmit të tij normal në fushë.
Tani, ai e sheh grumbullimin si shpërblim për durimin dhe punën e bërë në periudhën më sfiduese të karrierës.
Para miqësores që Kosova do ta luajë ndaj Çekisë të dielën, Fazliji foli për emocionet e rikthimit dhe atmosferën brenda grupit, duke theksuar se ekipi është i motivuar dhe pozitiv për përballjen e radhës.
“Ka qenë kohë e gjatë, kam luftuar gjatë për këtë moment për të qenë pjesë e Kombëtares, tani e kam arritur, jam shumë i lumtur kam besuar në vetveten më kanë mbështetur familjarët, Federata, klubi dhe jam i lumtur të jem sërish pjesë e Kombëtares”.
“Grupi po duket në super formë, kemi edhe lojtarë të rinj të cilët e kanë një shans për ta treguar veten, ashtu jam edhe unë edhe besoj që jemi shumë të motivuar edhe shumë pozitiv për ndeshjen ndaj Çekisë”, ka thënë Betim Fazliji.
Kujtojmë se përballja mes Çekisë dhe Kosovës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 16:00./Telegrafi/






