OpenAI thotë se ka zbuluar dy fushata ndikimi që, sipas vlerësimit të kompanisë, janë drejtuar nga përdorues të lidhur me Kinën, të cilët kanë përdorur ChatGPT për të krijuar përmbajtje të destinuar për rrjetet sociale.
Njëra nga këto fushata ka qenë e drejtuar ndaj publikut amerikan dhe debatit mbi qendrat e të dhënave për inteligjencë artificiale, ndërsa tjetra ka prodhuar përmbajtje kritike ndaj politikës tregtare dhe teknologjike të Shteteve të Bashkuara.
OpenAI ka deklaruar se këto llogari kanë përdorur ChatGPT për të gjeneruar tekste, argumente dhe materiale vizuale në gjuhën angleze, përfshirë edhe komike që theksonin rritjen e konsumit të energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave dhe ndikimin e tyre në rritjen e faturave të energjisë.
Sipas kompanisë, përdoruesit e këtyre fushatave në rrjete sociale janë paraqitur si amerikanë me profile dhe prejardhje të ndryshme, duke publikuar përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale.

OpenAI beson se pas këtyre aktiviteteve qëndron një ekip i një kompanie private kineze që punon për klientë shtetërorë lokalë.
Raporti thotë gjithashtu se pjesëmarrësit në fushatë kanë ngarkuar në ChatGPT dokumente me përshkrime të detajuara të qëllimeve të tyre, strategjive për formësimin e opinionit publik dhe udhëzime për krijimin e llogarive të rreme që shmangin zbulimin.
Po ashtu, OpenAI thekson se e njëjta grupim ka përdorur ChatGPT edhe për të krijuar mesazhe fyese ndaj disidentëve kinezë dhe komentatorëve politikë që jetojnë jashtë Kinës.
Duke u paraqitur si emigrantë kinezë dhe ekspertë me bazë në SHBA, ata kanë nxitur figura publike të flasin më shumë për dështimet e politikës amerikane.
Një grup tjetër llogarish është fokusuar në gjenerimin e komenteve dhe ilustrimeve që kritikojnë tarifat amerikane, strategjinë teknologjike dhe politikat e jashtme të Uashingtonit.
Sipas OpenAI, përmbajtja shpesh theksonte pretendime se SHBA-të po tradhtojnë aleatët e tyre dhe po dëmtojnë partneritetet ndërkombëtare.
Kompania shton se, megjithëse aktiviteti ka qenë i gjerë, këto fushata nuk kanë arritur ndikim të madh në publik dhe nuk kanë ndryshuar ndjeshëm opinionin.
OpenAI e konsideron këtë rast si një shembull të përdorimit të inteligjencës artificiale në përpjekje për të ndikuar në debatet politike dhe shoqërore në mënyrë të fshehtë. /Telegrafi/





