Një nga supermakinat më ikonike të epokës moderne, Ferrari Enzo, është shitur në ankand për plot 10.23 milionë dollarë (rreth 9 milionë euro), duke konfirmuar rritjen e jashtëzakonshme të vlerës së këtij modeli gjatë muajve të fundit.
Automjeti i vitit 2003 ishte i lyer me ngjyrën e rrallë Grigio Titanio dhe kishte përshkuar vetëm 4,871 kilometra që nga dita kur doli nga fabrika.

Ky është një nga vetëm gjashtë Enzo të prodhuar në këtë ngjyrë dhe i vetmi me interier kontrastues Pelle Rosso.
Çmimi është veçanërisht i habitshëm pasi deri vitin e kaluar shumica e Ferrari Enzo-ve në gjendje perfekte shiteshin për 4 deri në 5 milionë dollarë.
Megjithatë, tregu i koleksionistëve ka ndryshuar ndjeshëm, me disa Enzo që këtë vit kanë kaluar pragun e 10 milionë dollarëve.
Makina është e certifikuar nga programi zyrtar Ferrari Classiche dhe ka qenë në pronësi të biznesmenit Chip Connor, i cili zotëronte gjithashtu një legjendar Ferrari 250 GTO.





