Kryetari i komunës së Bujanoc, Arbër Pajaziti, ka njoftuar për ndërmarrjen e një nisme të re që synon përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për këmbësorët në qytet.
Sipas tij, po krijohen hapësira të reja për parkim, me qëllim lirimin e trotuareve dhe vendosjen e rendit në komunikacion.

“Sot, në shumë pjesë të qytetit, trotuaret janë të zëna dhe këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë. Kjo nuk është e pranueshme”, është shprehur Pajaziti.
Ai ka theksuar se përmes këtyre ndërhyrjeve synohet organizimi më i qartë i parkimit, ndërsa trotuaret do t’u rikthehen qytetarëve.
Kjo nismë pritet të ndikojë në përmirësimin e lëvizjes në qytet dhe në krijimin e kushteve më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në trafik./BujanociNet/




