Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Antalya Forumin e Diplomacisë në Antalya që është mbajtur në Turqi.
Në kuadër të këtij forumi, të organizuar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Konjufca ka përfaqësuar Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).

Sipas tij, gjatë takimit është ritheksuar përkushtimi i Turqisë për të mbështetur rajonin, në një kohë kur bashkëpunimi rajonal konsiderohet kyç.
“U ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe bashkërendimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë,” thuhet në njoftim.
Ai ka bërë të ditur se në forum janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe ndikimi i tyre në rajon dhe më gjerë.
Forumi i Diplomacisë në Antalya mbledh liderë dhe diplomatë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështje kyçe të politikës ndërkombëtare dhe sigurisë globale. /Telegrafi/





