Nis zbatimi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në Kosovë, Vitia njofton hapat e parë

Nacionale

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga 1 qershori 2026 ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pas miratimit me vendim të Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, sot ka nisur hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, përmes fillimit të procesit për themelimin […]

Madhësia e shkronjave

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga 1 qershori 2026 ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pas miratimit me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, sot ka nisur hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, përmes fillimit të procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës.

“Ju njoftojmë se dje, me 1 qershor 2026, me vendim të qeverisë, ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai theksoi se themelimi i fondit përbën një etapë të rëndësishme në reformimin e sistemit shëndetësor në vend.

“Sot po nis hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, me fillimin e procesit për themelimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri.

Sipas Vitisë, ky proces synon krijimin e bazës për funksionimin e sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe realizimin gradual të të drejtave që parashihen me ligj.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe zbatimit gradual të të drejtave dhe përfitimeve që parashihen me këtë ligj”, u shpreh ai.

Themelimi i Fondit të detyrueshëm shëndetësor parashihet me Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, i cili është miratuar këtë vit para se të shpërndahej Kuvendi. /Telegrafi/