Vitor Hugo është një nga futbollistët që ka ndërtuar një lidhje të veçantë me Dukagjinin, klub ku braziliani luan që nga viti 2021. Gjatë këtyre viteve, ai është përshtatur me futbollin kosovar, ka përjetuar suksese me skuadrën nga Klina dhe tashmë synon që së bashku me bashkëlojtarët të luftojë për objektiva edhe më të mëdha.
Në një intervistë për Telegrafin, Hugo ka folur për përvojën e tij në Kosovë, raportin me trajnerin Armend Dallku, rolin që ka në fushë dhe ambiciet e Dukagjinit për këtë sezon.
Mesfushori brazilian, i cili mund të luajë si para mbrojtjes, ashtu edhe në rolin e një mesfushori që përshkon gjithë fushën, vlerëson besimin që ka marrë nga trajneri dhe thekson se synimi i tij është të vazhdojë të përmirësohet, duke ndihmuar skuadrën të arrijë rezultatet e dëshiruara.
“Që nga ardhja ime në Kosovë në vitin 2021, kam krijuar një marrëdhënie shumë të veçantë me Dukagjinin. Klubi është bërë pjesë e rëndësishme e jetës sime, si profesionalisht, ashtu edhe personalisht. Gjithmonë jam ndier i respektuar dhe i vlerësuar këtu. Jam mirënjohës ndaj klubit dhe tifozëve dhe përpiqem ta shpërblej këtë besim duke dhënë maksimumin në fushë”, ka deklaruar ai për Telegrafin.
Mesfushori brazilian ka vlerësuar edhe besimin e trajnerit Armend Dallku, duke theksuar se synon të ndihmojë skuadrën në të dy fazat e lojës.
“Besimi i trajnerit është shumë i rëndësishëm për çdo futbollist. Përpiqem t’i përgjigjem çdo ditë, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Synoj t’i jap ekuilibër skuadrës, të ndihmoj në rikuperimin e topit dhe në ndërtimin e aksioneve, si dhe të kontribuoj në sulm kur krijohet mundësia”, është shprehur Hugo.
Dukagjini renditet aktualisht në vendin e tretë me 16 pikë, ndërsa braziliani beson se skuadra mund të synojë rezultate edhe më të mëdha këtë sezon.
“Pozita jonë në tabelë tregon se kemi cilësi dhe aftësi për të konkurruar në nivel të lartë. E dimë se sezoni është ende i gjatë, prandaj duhet të mbetemi të përqendruar dhe të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim. Nëse ruajmë unitetin dhe vazhdimësinë, mund të arrijmë gjëra të mëdha”, ka thënë ai.
Hugo ka folur edhe për dallimet mes futbollit brazilian dhe atij kosovar, duke vlerësuar se përvoja në vendin tonë e ka ndihmuar të zhvillohet si futbollist dhe si person.
“Në Brazil ka më shumë theks te aftësitë individuale, kreativiteti dhe improvizimi. Në Kosovë kam vërejtur rëndësi më të madhe të intensitetit, forcës fizike, konkurrencës dhe disiplinës taktike. Kjo përvojë më ka ndihmuar të zhvilloj cilësi të reja dhe të bëhem futbollist më i kompletuar”, ka theksuar ai.
Pas fitores 1-0 ndaj Vushtrrisë, mesfushori ka nënvizuar se Dukagjini duhet të vazhdojë me të njëjtin përkushtim për të mbetur në mesin e skuadrave të kreut.
“Fitorja ndaj Vushtrrisë na jep besim dhe tregon vlerën e punës që po bëjmë. Megjithatë, nuk mund të vetëkënaqemi, sepse çdo ndeshje sjell sfida të ndryshme. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe të hyjmë në çdo ndeshje me mentalitet fitues”, ka deklaruar Hugo.
Sa u përket objektivave për këtë sezon, braziliani synon të përmirësohet individualisht dhe të ndihmojë Dukagjinin të luftojë për pozitat e larta, kualifikimin në garat evropiane dhe nëse është e mundur, fitimin e një tjetër trofeu.
“Sezonin e kaluar patëm privilegjin ta fitonim Kupën e Kosovës, një moment shumë i veçantë për të gjithë ne. E dimë sa e vështirë është ta përsërisim një sukses të tillë, por kemi cilësinë, etikën e punës dhe ambicien për të synuar arritje të reja. Kam shumë dashuri për këtë klub dhe do të ishte e veçantë të vazhdoja të bëja histori këtu”, përfundoi Hugo.Telegrafi/






