Arda Turan është shumë pranë një detyre të re dhe të rëndësishme në karrierën e tij si trajner. Sipas gazetarit të njohur Nicolo Schira, ish-futbollisti i Atletico Madridit dhe Barcelonës pritet të emërohet trajner i Kombëtares së Turqisë.
“Arda Turan pritet të bëhet trajneri i ri i Kombëtares së Turqisë”, ka shkruar Schira në rrjetet sociale.
Nëse emërimi konfirmohet zyrtarisht, ky do të ishte një hap i madh në karrierën e Turanit, i cili do të kalonte nga drejtimi i një klubi në atë të kombëtares së vendit të tij.
Aktualisht, 39-vjeçari është trajner i Shakhtar Donetskut, skuadër që e mori në drejtim në vitin 2025. Përvoja në futbollin evropian dhe karriera e tij si lojtar në nivelet më të larta e kanë vendosur atë në qendër të vëmendjes për këtë post.
Turani ishte një nga futbollistët më të njohur turq të gjeneratës së tij. Ai pati periudha të suksesshme te Atletico Madridi dhe Barcelona, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke u bërë një nga emrat më të njohur të futbollit turk.
Ndërkohë, Turqia ka mbetur pa përzgjedhës pas ndarjes së rrugëve me italianin Vincenzo Montella, i cili ishte në krye të ekipit që nga shtatori i vitit 2023.
Largimi i Montellës ka hapur garën për drejtimin e kombëtares, ndërsa emri i Turanit është përmendur si një nga kandidatët që mund ta marrë këtë përgjegjësi./Telegrafi/






