Këshilltari komunal në Bujanoc nga radhët e Lëvizja për Progres Demokratik (LPD), Shuajb Neziri, ka reaguar lidhur me rezolutat e miratuara ndër vite nga Kuvendi i Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në një qëndrim publik, Neziri thekson se, pavarësisht miratimit të disa rezolutave që nga viti 2013 e deri më sot, ato nuk kanë prodhuar rezultate konkrete në terren.
Ai rikujton se në vitin 2013 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë që synonte përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginë, ndërsa në vitin 2019 u diskutuan iniciativa të reja në një seancë të jashtëzakonshme, të cilat megjithatë nuk u miratuan.
Sipas tij, edhe rezoluta e fundit e miratuar në prill të vitit 2026, e cila fokusohet në avancimin e përkujdesjes institucionale për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, rrezikon të mbetet vetëm në nivel deklarativ.
Neziri vlerëson se mungesa e zbatimit të këtyre dokumenteve mund të ndikojë negativisht në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së shqiptarëve në këtë rajon.
Ai bën thirrje që institucionet e Kosova, duke përfshirë presidencën dhe qeverinë, të ndërmarrin hapa konkretë dhe të zbatojnë vendime praktike që do të sjellin ndryshime reale.
Sipas tij, nëse rezolutat mbeten vetëm në letër dhe në funksion të politikave ditore, pasojat do t’i bartin qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës./BujanociNet/







