Aktiviteti fizik është një nga mënyrat natyrore më efektive për kontrollin e hipertensionit, por koha e ditës kur ecni mund të ndikojë se kur shfaqet i ashtuquajturi dritare e “hipotensionit pas stërvitjes”
Globalisht, pothuajse gjysma e të rriturve luftojnë me tensionin e lartë të gjakut, i cili është shkaktari kryesor i sulmit në zemër dhe në tru. Edhe pse barnat janë shpesh të nevojshme, ecja e rregullt paraqet një mënyrë të thjeshtë, falas dhe të qasshme për të gjithë për ta mbajtur tensionin nën kontroll. Atëherë, a ekziston një kohë ideale gjatë ditës kur shëtitja jep rezultatet më të mira?
Si ndikon koha e ditës në tensionin e lartë të gjakut?
Tensioni i gjakut varion natyrisht gjatë 24 orëve. Ai zakonisht rritet papritur në mëngjes pas zgjimit, ndërsa bie gjatë natës dhe mbrëmjes. Personat që përjetojnë rritje të mëdha në mëngjes ose që kanë tension të lartë edhe gjatë natës janë në një rrezik dukshëm më të madh për komplikime kardiovaskulare.

Pas aktivitetit fizik, pason i ashtuquajturi hypotension pas stërvitjes – një periudhë prej disa orësh gjatë së cilës tensioni i gjakut mbetet i ulur. Disa hulumtime tregojnë se aktiviteti aerobik në pasditen e vonë ose në mbrëmje çon në një rënie më të ndjeshme të presionit sistolik (të sipërm) krahasuar me stërvitjen e mëngjesit, transmeton Telegrafi.
Dr. Jason V. Tso, kardiolog në Stanford University School of Medicine, paralajmëron se ecja intensive vonë në mbrëmje te disa njerëz mund të prishë cilësinë e gjumit.
“Prandaj, për ata e kanë të vështirë të flenë pas një ecjeje të shpejtë, është në rregull të ushtrohen në çdo kohë të ditës”, thotë Dr. Tso, dhe duke qenë se gjumi i keq vetvetiu është një rrezik për hipertensionin, shëtitja e mëngjesit ose e pasdites në atë rast paraqet një zgjedhje më të mirë.
Ekspertët pajtohen se dallimet e bazuara në kohën e saktë janë relativisht të vogla dhe individuale – koha më e mirë për shëtitje është ajo që përshtatet në orarin ditor të njeriut dhe që mund të mbahet vazhdimisht.
Ecja vepron në arterie në nivel qelizor
Tensioni i lartë i gjakut shfaqet kur forca me të cilën gjaku vepron në muret e arterieve është e lartë për një kohë të gjatë. Ecja vepron në këtë problem përmes dy mekanizmave kyçë:
1.Lirimi i oksidit nitrik. Gjatë aktivitetit aerobik, qelizat e arterieve prodhojnë më shumë oksid nitrik – një molekulë që relakson dhe zgjeron enët e gjakut.
2.Ulja e kortizolit. Lëvizja e rregullt ul nivelin e hormonit kryesor të stresit (kortizolit), gjë që ruan fleksibilitetin e enëve të gjakut dhe zvogëlon rezistencën gjatë pompimit të gjakut.
5 faktorë kyçë që përcaktojnë efektin e shëtitjes
Në mënyrë që ecja të ketë efekt maksimal në shëndetësinë e zemrës, është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje elementeve të mëposhtme:
Konsistenca: Një shëtitje e ul tensionin përkohësisht, por javët dhe muajt e ecjes së rregullt ulin përgjithmonë vlerat mesatare.
Tempoja (shpejtësia): Përfitimet më të mëdha vijnë nga ecja e shpejtë që përshpejton pulsin. Rregulli i artë thotë – duhet të jeni në gjendje të flisni ndërsa ecni, por jo edhe të këndoni.
Vlerat fillestare: Personat që kanë një tension fillestar dukshëm më të lartë do të vërejnë efekte më të shpejta dhe më të theksuara të ushtrimeve.
Kohëzgjatja totale: Rekomandimi i Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA) është të paktën 150 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë. Për shembull, 30 minuta ecje e shpejtë, 5 ditë në javë.
Zakonet e jetesës: Marrja e tepërt e kripës, alkooli, ushqimi i pashëndetshëm dhe stresi kronik mund të neutralizojnë ndjeshëm efektet pozitive të ecjes.





