Deputetja që u largua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke paralajmëruar protesta kundër kësaj nisme.
Në një reagim publik, Koçeku deklaroi se kjo çështje nuk do të kalojë lehtë dhe se qytetarët e Shkodrës pritet të protestojnë të dielën kundër hapjes së konsullatës.

Ajo kritikoi institucionet shqiptare, duke thënë se deri më tani kanë dhënë vetëm “sqarime të turbullta” për këtë çështje dhe se po përpiqen ta shmangin debatin.
“Flitet për parime diplomacie, marrëdhënie bilaterale e përfitime ekonomike, por harrohet më e rëndësishmja: realiteti i një populli të masakruar”, u shpreh Koçeku.
Në reagimin e saj, ajo lidhi çështjen e konsullatës me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke përmendur gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës. Sipas saj, dyshohet për një varrezë masive me 23 intelektualë të vrarë nga forcat serbe, ndërsa deri tani janë gjetur trupat e gjashtë personave.
Koçeku përmendi gjithashtu edhe një aksion të fundit në veri të Kosovës, ku sipas saj u gjet armatim dhe u arrestua një person që kishte qenë pjesëtar i Armatës Jugosllave.
“Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate, more?!”, shkroi ajo.
Debati për hapjen e një përfaqësie konsullore serbe në Shkodër ka shkaktuar reagime të ndryshme, ndërsa autoritetet shqiptare kanë deklaruar se çështja lidhet me marrëdhëniet diplomatike dhe procedurat përkatëse. /Telegrafi/





