Në Francë, 16 familje ngrenë padi kundër TikTok-ut nën dyshimet për “abuzim”

Teknologji

Gjashtëmbëdhjetë familje paraqitën një padi kolektive në Zyrën e prokurorit të Parisit kundër rrjetit social TikTok për dyshime “abuzimi me dobësinë”. Familjet, të përfaqësuara nga avokatja Laure Boutron-Marmion, akuzojnë platformën për shfrytëzimin e cenueshmërisë së të miturve, në disa raste duke kontribuar në vetëvrasje dhe çrregullime të rënda të shëndetit mendor. “Ne kemi një makinë […]

Madhësia e shkronjave

Gjashtëmbëdhjetë familje paraqitën një padi kolektive në Zyrën e prokurorit të Parisit kundër rrjetit social TikTok për dyshime “abuzimi me dobësinë”.

Familjet, të përfaqësuara nga avokatja Laure Boutron-Marmion, akuzojnë platformën për shfrytëzimin e cenueshmërisë së të miturve, në disa raste duke kontribuar në vetëvrasje dhe çrregullime të rënda të shëndetit mendor.

“Ne kemi një makinë të projektuar, të zhvilluar për të shfrytëzuar këtë cenueshmëri. TikTok-u krijon burgje mendore për adoleshentët, burgje ankthi”, tha Boutron-Marmion për Fanceinfo.

Ajo i krahasoi efektet e TikTok-ut me “krizën dixhitale”.

Padia synon drejtuesit e TikTok-ut në Francë dhe ndërkombëtarisht duke argumentuar se platforma është plotësisht e vetëdijshme se si funksionon algoritmi i saj i rekomandimeve, raportoi transmetuesi Franceinfo, transmeton Anadolu.

“Është një sistem rekomandimesh shumë të personalizuara dhe lëvizjeje të vazhdueshme që gjeneron varësi të fortë dhe shfrytëzon cenueshmërinë e adoleshentëve”, tha ajo.

“Ata i dinë shumë mirë efektet e platformës, por nuk bëjnë asgjë”, shtoi Boutron-Marmion.

Avokatja tha se familjet po kërkojnë ta çojnë TikTok-un para një gjykate penale franceze për abuzim me dobësinë, përveç procedurave civile që janë në vazhdim.

“Ata nuk duan të ndalen vetëm në një ankesë të thjeshtë”, tha ajo.

Disa nga familjet e përfshira kanë humbur fëmijë nga vetëvrasja ndërsa të tjera raportojnë raste të anoreksisë, depresionit dhe mendimeve vetëvrasëse.

Padia gjithashtu kërkon rregullim më të rreptë të mediave sociale, përfshirë një ndalim të mundshëm për përdoruesit nën 15-vjeç, një ide që aktualisht është në diskutim në Francë.

TikTok-u ka thënë më parë se ka zbatuar më shumë se 50 veçori dhe mjete sigurie për adoleshentët dhe vazhdon të investojë në përvoja të përshtatshme për moshën dhe të sigurta për përdoruesit. /AA/