David Rush ka shtuar një tjetër rekord Guinness në listën e tij të gjatë, pasi arriti të palosë plot 415 aeroplanë prej letre brenda vetëm 60 minutave.
Rush, i cili mban më shumë se 200 rekorde Guinness dhe konsiderohet personi me numrin më të madh të titujve Guinness të mbajtur njëkohësisht, e realizoi sfidën në një sallë racquetball-i në YMCA në Boise, Idaho.
Për të vendosur rekordin, Rush duhej të respektonte rregulla të rrepta të Guinness World Records. Çdo aeroplan duhej të ndërtohej duke ndjekur një proces të përcaktuar prej shtatë palosjesh.

Sfida kërkonte gjithashtu që aeroplanët e përfunduar të verifikoheshin dhe të plotësonin distancën minimale të kërkuar të fluturimit, transmeton Telegrafi.
“Kisha një ekip ndihmësish që menaxhonte furnizimin me letër, u dërgonte aeroplanët e përfunduar dëshmitarëve të caktuar për verifikim dhe më pas i hidhte për të siguruar që të përshkonin distancën e detyrueshme të fluturimit”, shkroi Rush.
Në fund të 60 minutave, ai kishte arritur të prodhonte 415 aeroplanë të vlefshëm, që do të thotë se, mesatarisht, i duhej vetëm 8.67 sekonda për çdo aeroplan.
Përpjekja e Rush u zhvillua më 30 maj dhe rezultoi e suksesshme, duke i siguruar atij një tjetër titull Guinness World Record. Por sfida e radhës duket edhe më e vështirë.
Rush tashmë synon të thyejë rekordin për kohën më të shpejtë për të palosur dhe hedhur një aeroplan prej letre, i cili aktualisht qëndron në vetëm 4.54 sekonda.
Pas 415 aeroplanëve në një orë, sfida e ardhshme do të kërkojë jo vetëm shpejtësi në palosje, por edhe një koordinim perfekt mes ndërtimit dhe hedhjes. /Telegrafi/





