Fotot e maruleve në supermarkete, të paketuara me një film transparent ku është stampuar fytyra e aktorit të njohur japonez Tatsuya Fujiwara, janë bërë virale në rrjetet sociale.
Bëhet fjalë për një fushatë të pazakontë marketingu në Japoni, ku aktori i njohur për rolet në filmat “Battle Royale” dhe “Death Note” është bërë “fytyra” e maruleve në kuadër të një nisme për të luftuar shpërdorimin e ushqimit.

Kompania ushqimore Ajinomoto, në bashkëpunim me prodhuesin e maruleve JA Zen-Noh Nagano, ka nxjerrë në shitje rreth 10 mijë copë marule me paketim të veçantë që mban fytyrën e Fujiwarës.
Qëllimi i fushatës është të nxisë konsumatorët japonezë të përdorin më shumë marule dhe të reduktojnë mbetjet ushqimore. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, shumë njerëz i hedhin marulet pasi nuk dinë mënyra të ndryshme për t’i përgatitur përveç sallatës tradicionale.
Paketimi përmban gjithashtu një kod QR që i çon blerësit te receta të reja, si gatime me marule të grira, petulla japoneze me mbushje dhe receta të tjera për të përdorur të gjithë perimet pa i hedhur.
Vetë Fujiwara e përshkroi me humor bashkëpunimin, duke thënë se iu kërkua “të huazonte fytyrën” pasi “marulja është në krizë”.
Fushata ka tërhequr vëmendje të madhe për idenë e pazakontë dhe ka bërë që shumë blerës të ndalojnë para rafteve për të parë “marulen me fytyrën e aktorit”. /Telegrafi/





