Chevrolet po përballet me një problem të pazakontë te modeli i saj sportiv Corvette ZR1, pasi disa pronarë kanë raportuar dëmtime të bojës të shkaktuara nga krahu i madh i pasmë aerodinamik.
Problemi lidhet me paketën ZTK Performance Package, e cila është krijuar për përdorim në pistë dhe për të rritur stabilitetin e automjetit në shpejtësi të larta.

Krahu i pasmë prej fibrash karboni gjeneron një forcë të madhe shtypëse (downforce), duke e mbajtur makinën më të ngjitur me asfaltin, por në raste të caktuara kjo forcë po shkakton dëmtime në karroceri.
Sipas raportimeve, presioni i krijuar nga krahu i pasmë mund të shkaktojë përkulje të lehtë të pjesëve të trupit të makinës, duke çuar në plasaritje ose dëmtim të bojës pranë pikave të montimit të tij.
General Motors ka pranuar ekzistencën e problemit dhe ka mbuluar riparimet për disa pronarë të prekur.
Kompania thekson se defekti shfaqet kryesisht gjatë përdorimit ekstrem, si në pistë ose gjatë drejtimit me shpejtësi shumë të larta.
Corvette ZR1 është një nga modelet më të fuqishme të prodhuara ndonjëherë nga Chevrolet. Ajo pajiset me një motor V8 biturbo me rreth 1.064 kuaj/fuqi, ndërsa sistemi i saj aerodinamik është projektuar për performancë maksimale në kushte garimi.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e industrisë së automobilizmit, pasi një element i krijuar për të përmirësuar performancën po rezulton të jetë një burim dëmtimi për vetë automjetin. /Telegrafi/





