Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka publikuar akuza të reja ndaj biznesmenit serb Zvonko Veselinoviq, duke pretenduar se makineritë e kompanisë së tij po përdoren në projekte infrastrukturore që financohen nga buxheti i entitetit Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Margetiq tha se makineritë e Veselinoviqit janë zhvendosur në rajonin e Foçës, ku po angazhohen në punë publike të financuara nga autoritetet e Republika Srpska.
Sipas tij, kompania Inkop, e lidhur me Veselinoviqin, vazhdon të operojë në projekte të qeverisë së udhëhequr nga Milorad Dodik, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare ndaj biznesmenit serb.

“Krimi i organizuar nën kujdesin e qeverisë së Dodikut. Zvonko Veselinoviq transferoi makineritë e tij në punët që financohen nga buxheti i entitetit Republika Srpska në rajonin e Foçës”, shkroi Margetiq.
Ai pretendon se organizata e Veselinoviqit shërben si mekanizëm për pastrimin e parave që, sipas tij, janë nxjerrë nga Serbia dhe po kanalizohen përmes projekteve publike në Republika Srpska.
“Organizata mafioze e Veselinoviqit aktualisht është pastruesja kryesore e parave, të cilat janë nxjerrë nga Serbia nga regjimi i Vuçiqit dhe po pastrohen përmes qeverisë së Republika Srpska”, pretendon gazetari kroat.
Margetiq shton se, ndonëse janë bërë përpjekje për të fshehur identitetin e makinerive duke ndryshuar shenjat identifikuese, ato janë zhvendosur nga Bukova Kosa në Prijedor drejt projektit të ri në Foçë.
Ai pretendon gjithashtu se Veselinoviq dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë nën kontroll objekte të mikpritjes në Parkun Kombëtar Sutjeska dhe se rrugët që u shërbejnë këtyre objekteve po ndërtohen me fonde publike.
“Firma është nën sanksione ndërkombëtare, ndërsa mafiozi personal i Vuçiqit, Zvonko Veselinoviq, dhe kompania e tij Inkop punojnë pandërprerë në projektet e Dodikut përmes të cilave pastrohen dhe nxirren para”, shkroi Margetiq.
Në fund të reagimit të tij, gazetari kroat pretendon se Republika Srpska është shndërruar në qendrën kryesore të pastrimit të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme nga regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.





