Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se kompania ajrore Wizz Air ka hapur bazën e dytë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas Bashës, kjo ka ndodhur më pak se dy muaj pas hapjes së bazës së parë të kompanisë në aeroportin e Prishtinës.

Me zgjerimin e operimit, nga Prishtina janë shtuar edhe pesë linja të reja ajrore drejt Frankfurtit, Berlinit, Hamburgut, Malmös dhe Triestes.
Basha ka thënë se linjat e reja krijojnë mundësi të reja udhëtimi për qytetarët, ndërsa pritet të ndikojnë edhe në zhvillimin e turizmit, biznesit dhe ekonomisë.
“Zgjerimi i Wizz Air me këto ritme tek ne është sinjal i besimit të investitorëve të huaj në vendin tonë, në potencialin e tregut që ofrojmë, si dhe një bashkëpunimi të mirë mes institucionit tonë, aeroportit dhe Ministrisë së Financave”, ka shkruar Basha.
Ai ka theksuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të vazhdojë bashkëpunimin me akterët relevantë për zgjerimin e mundësive të udhëtimit dhe zhvillimin e sektorit të aviacionit në Kosovë. /Telegrafi/





