Kongresmeni amerikan Keith Self ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që, sipas tij, konsideratat politike të ndikojnë në vendimet e institucioneve të drejtësisë në Hagë.
Reagimi i tij vjen në prag të shpalljes së vendimit në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Përmes një postimi në platformën X, Self ka thënë se në rastet që lidhen me Hagën është shfaqur një shqetësim i përsëritur për ndikimin e pretenduar të paragjykimeve politike në proceset vendimmarrëse.
“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i paragjykimeve politike për të ndikuar në vendimet e tyre”, ka shkruar Self.
Ai ka shprehur shpresën që një ndikim i tillë të mos jetë i pranishëm në vendimin që pritet të shpallet këtë javë ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“Shpresoj që një paragjykim i tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe”, ka deklaruar kongresmeni amerikan.
Self e ka lidhur çështjen edhe me situatën politike dhe të sigurisë në Ballkan, duke paralajmëruar për rrezikun që tensionet dhe përçarjet të ndikojnë në stabilitetin e rajonit.
“Ballkani është një kuti baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes sesa të punojnë drejt pajtimit”, ka shkruar ai.
Reagimi i kongresmenit amerikan vjen në një periudhë kur vëmendja është përqendruar te Gjykata Speciale në Hagë dhe vendimi në rastin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. /Telegrafi/






