Rolando Maran ka bërë zgjedhjet e fundit para debutimit të tij në stolin e Shqipërisë, ndërsa një prej vendimeve që ka tërhequr vëmendjen është lënia jashtë e Feta Fetait nga lista e 23 lojtarëve për sfidën ndaj Bjellorusisë.
Kapiteni i Kombëtares U21 është një prej katër futbollistëve që do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna. Përveç Fetait, jashtë listës kanë mbetur edhe Luis Hasa, Sebah Kerjota dhe Simon Simoni.

Vendimi për Fetain vjen pak ditë pasi mesfushori 21-vjeçar iu bashkua Kombëtares A për të zëvendësuar Qazim Laçin, i cili u tërhoq nga grumbullimi për shkak të dëmtimit. FSHF kishte konfirmuar se Fetai do të bëhej pjesë e ekipit për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Megjithatë, përballë Bjellorusisë ai nuk do ta ketë mundësinë të debutojë, pasi Maran ka vendosur të mos e përfshijë në 23-shen që do të jetë në dispozicion për ndeshjen e orës 20:45.
Zgjedhja bëhet edhe më interesante duke pasur parasysh se Klevi Qefalija, një tjetër risi në listën e Maranit, është preferuar para Fetait. Qefalija iu bashkua grumbullimit më vonë, pasi u konfirmua dëmtimi i Adrion Pajazitit.
Fetai, i cili aktivizohet te Lokomotiva e Zagrebit dhe mban shiritin e kapitenit te Shqipëria U-21, ishte thirrur fillimisht nga lista e pritjes pas mungesës së Laçit. Tashmë, megjithatë, debutimi i tij me Kombëtaren A do të duhet të presë.
Ndërkohë, Klisman Cake është një mungesë e ndryshme nga tre lojtarët e tjerë. Mbrojtësi nuk është në dispozicion të Maranit për shkak të dëmtimit./Telegrafi/





