Lulzim Berisha dhe Durim Bami, dy të paraburgosur, njëri në Durrës dhe tjetri në Fushë Krujë, që nga kjo e mërkurë janë transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.
Sipas burimeve, lëvizja e tyre është kryer për arsye sigurie, pas informacioneve konfidenciale se të paraburgosurit mund të kishin akses ose të përdornin telefona celularë dhe sende të tjera të ndaluara brenda qelive.

Për këtë arsye, me urdhër të drejtuesve të burgjeve, është vendosur transferimi i tyre në një institucion me masa më të forta sigurie, ku kontrolli dhe mbikëqyrja janë më të rrepta.
Transferimi i Durim Bamit vjen vetëm pak javë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte pranuar kërkesën e tij për t’u zhvendosur nga burgu 313 në Tiranë drejt atij të Fushë-Krujës.
Bami e kishte kërkuar këtë ndryshim pas ekstradimit nga Dubai në fund të shkurtit, duke argumentuar se në burgun 313, por edhe në institucionet e Peqinit dhe Reçit, ndodheshin persona që sipas tij përbënin rrezik për jetën e tij.
Në kërkesën e depozituar nga avokati i tij, Ilir Murati, thuhej se burgu i Fushë-Krujës ishte alternativa më e përshtatshme, duke u përmendur edhe gjendja shëndetësore jo e mirë dhe stresi i vazhdueshëm që, sipas mbrojtjes, ai përjetonte për shkak të pranisë së personave të arrestuar për vrasje dhe përfshirje në grupe kriminale.
Kujtojmë që gjatë javëve të fundit, strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zhvilluar një sërë kontrollesh në të gjithë sistemin penitenciar në vend.
Gjatë këtyre kontrolleve janë zbuluar sende të ndaluara, që nga mjete të improvizuara prerëse deri te telefona celularë dhe orë inteligjente, të cilat dyshohet se janë mbajtur në mënyrë të paligjshme nga të burgosurit në qeli.





