Kryeministri i Lituanisë i tha BBC-së se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia, por shtoi se ata “nuk do të dorëzohen” nëse sulmohen.
Kryeministri Mindaugas Sinkevičius i tha emisionit “Newsnight” se lituanezët ndihen “të kërcënuar vazhdimisht” nga Rusia, pjesërisht për shkak të hyrjes së dronëve në hapësirën ajrore të vendit.
Ai deklaroi se, nëse vendi i tij do të sulmohej, “ne do të kundërpërgjigjeshim… do të angazhoheshim në luftë”.
Megjithatë, ai theksoi se ekzistojnë plane për “skenarë të ndryshëm” dhe përmendi si shembull evakuimin e qytetarëve të moshuar nga qytetet në mënyrë “të rregullt”, duke shmangur bllokimet e trafikut.
Lituania, anëtare e NATO-s, ndan një kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit.
“Ne po mendojmë për skenarë të ndryshëm; jo të gjithë po diskutohen gjerësisht në publik”, i tha ai BBC-së.
“Ne përballemi me kërcënime konkrete – jo domosdoshmërisht çdo ditë, por i përjetojmë ato dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne”.
Sinkevičius theksoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për një “ndryshim mentaliteti” sa i përket qasjes ndaj mbrojtjes, por vuri në dukje se Lituania ndodhet “më pranë kufirit dhe më pranë kërcënimit”.
Kjo deklaratë vjen vetëm një javë pasi pilotët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë.
Ndonëse origjina e dronit nuk është konfirmuar, ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, tha se ai vinte nga drejtimi i Bjellorusisë – fqinjit të Lituanisë dhe aleatit kryesor të Rusisë. /Telegrafi/






