Vdekja e Presley Gerber, djalit të supermodeles Cindy Crawford dhe sipërmarrësit Rande Gerber, në moshën 27-vjeçare po hetohet si një mbidozë e dyshuar.
Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se nuk ka aktualisht asnjë tregues për vepër penale, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
Më 20 shtator, rreth orës 09:35, policia e Santa Monikës mori një raport për një mbidozë të mundshme në një qendër rehabilitimi në Los Angeles, shkruan DailyMail.
Kur mbërritën në vendngjarje, oficerët gjetën Presleyn pa shenja jete. Vdekja u konfirmua rreth orës 09:45 nga ekipet mjekësore.
Sipas raportimeve, Presley kishte kaluar periudha të vështira për shkak të varësisë nga droga dhe problemeve të shëndetit mendor.
Ai kishte folur publikisht edhe për trajtimin me ibogainë në një klinikë në Meksikë, ku kishte marrë një dozë të lartë të kësaj substance psikoaktive.
Në mars, familjarët e tij e kishin mbështetur publikisht dhe e kishin përgëzuar për vendimin për të përballuar problemet e tij.
Sipas raportimeve të medieve amerikane, Presley ishte regjistruar në qendrën e rehabilitimit vetëm të shtunën në mbrëmje dhe qëndronte në një banesë të veçantë brenda kompleksit, së bashku me persona të tjerë.
Autopsia është përfunduar, por zyra e mjekut ligjor të Los Angeles ende nuk ka bërë të ditur shkakun zyrtar të vdekjes.
Familja Gerber nuk ka dhënë ende një deklaratë të re për rastin. Ndërkohë, hetimi nga Departamenti i Policisë së Santa Monikës vijon dhe autoritetet kanë theksuar se deri tani nuk ka prova që vdekja të ketë ardhur si pasojë e një vepre penale. /Telegrafi/






