Në një intervistë për CNN të hënën, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani bëri sërish thirrje që të zbatohet urdhri i arrestit për kryeministrin Benjamin Netanyahu, i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), edhe pse pranoi se nuk e ka vetë autoritetin për ta bërë një gjë të tillë.
Mamdani i tha CNN-it se e konsideron Netanyahun “një kriminel lufte dhe arkitekt të një gjenocidi të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”, shkruan Jerusalem Post, përcjell Telegrafi.
Në korrik, Mamdani theksoi se po shqyrtonte mundësinë e arrestimit të Netanyahut bazuar në urdhrin e ICC-së; pas disa ditësh ai arriti në përfundimin se nuk mund ta bënte këtë ligjërisht, por gjithsesi paralajmëroi se Netanyahu “nuk ishte i mirëpritur” në qytetin e Nju Jorkut.
“Besoj se kjo është diçka që duhet respektuar”, i tha ai CNN-it, “sepse ajo që duam të shohim – dhe për të cilën kemi folur sot – është besimi te politika jonë, besimi te llogaridhënia”.
Ai shtoi: “Nëse Gjykata Penale Ndërkombëtare e konsideron dikë si subjekt arrestimi për shkak të shkeljes së atyre ligjeve, atëherë kush jemi ne që të themi se dikush duhet të jetë mbi to? Dhe mendoj qartë se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi para tyre”.
Netanyahu pritet të vizitojë qytetin e Nju Jorkut të enjten për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Vizita e tij ishte planifikuar fillimisht të zgjaste disa ditë dhe të përfshinte një vizitë në Teksas si dhe një takim me presidentin amerikan Donald Trump.
Megjithatë, ajo është shkurtuar; plani aktual parashikon mbërritjen në Nju Jork të enjten në mëngjes, fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme në orën 14:00 dhe kthimin në Izrael menjëherë pas kësaj.
Gjatë vizitës së tij priten protesta, edhe pse Mamdani ka deklaruar se nuk ka ndërmend t’u bashkohet atyre. /Telegrafi/






