LDK largohet nga Kuvendi, Haziri: Kërkuam që seanca konstituive të mbahet sonte

Nacionale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se partia e tij ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë sonte deri në mesnatë, me synim respektimin e afatit kushtetues. Në një prononcim nga holli i Kuvendit, Haziri tha se qëndrimi i LDK-së bazohet në respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e […]

Madhësia e shkronjave

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se partia e tij ka kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë sonte deri në mesnatë, me synim respektimin e afatit kushtetues.

Në një prononcim nga holli i Kuvendit, Haziri tha se qëndrimi i LDK-së bazohet në respektimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e standardeve institucionale.

“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese, të ruhet fryma kushtetuese, germa kushtetuese dhe standardi që kemi arritur tash e sa vite duke qenë edhe udhëheqëse e institucioneve tona në Kosovë, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në historinë tonë politike”, tha Haziri.

Ai shtoi se LDK-ja, sipas tij, duhet të vazhdojë të luajë rolin e garantuesit të institucioneve të Republikës.

“Edhe sot, edhe asaj dite, besojmë se duhet të vazhdojmë të jemi gardianë të Republikës”, u shpreh ai.

I pyetur nëse deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në seancën e caktuar për të shtunën në orën 11:00, Haziri konfirmoi se grupi parlamentar do të jetë i pranishëm.

“Natyrisht që grupi parlamentar i LDK-së takohet paradite, ne ftesën e kemi marrë sot për nesër nga ora 11:00”, tha Haziri. /Telegrafi/