Kurti pas takimit me Abdixhikun: Kemi dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së

Nacionale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, është zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe të sinqertë, por pa rezultuar me një marrëveshje politike. Pas takimit, Kurti tha se në fokus të diskutimeve ishte mundësia e krijimit të institucioneve të legjislaturës […]

Madhësia e shkronjave

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, është zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe të sinqertë, por pa rezultuar me një marrëveshje politike.

Pas takimit, Kurti tha se në fokus të diskutimeve ishte mundësia e krijimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Takimi ishte i hapur dhe i sinqertë. Diskutuam për mundësinë e legjislaturës së 11-të, që përfaqëson vullnetin e popullit. Nuk kemi ende marrëveshje politike”, u shpreh ai, përcjell Telegrafi.

Kurti theksoi se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të dëmshme për vendin.

“Jam i bindur që, për stabilitetin e vendit, zgjedhjet e reja, sikurse ato të mëhershmet, do të ishin të panevojshme, të dëmshme dhe pa diskutim do të kishin kosto edhe për buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit”, deklaroi lideri i LVV-së.

Sipas tij, një marrëveshje politike duhet të përfshijë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së ardhshme, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.

“Nuk është e mundur ndryshe, përveçse me një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re. Nëse zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë, e më pas vijmë te zgjedhja e presidentit pa një marrëveshje paraprake, kjo është një formulë e provuar që nuk ka dhënë rezultate dhe do të na shpinte drejt shpërndarjes së Kuvendit”, tha Kurti.

Ai shtoi se pritjet dhe qëndrimet e dy partive mbeten të ndryshme, ndërsa kërkesat e LDK-së, sipas tij, nuk janë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe bindja ime është se ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Si LVV nuk mund të bëjmë një marrëveshje që do ta deformonte rezultatin zgjedhor”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/