Konstituohe​t Kuvendi i Kosovës, këta janë nënkryetarët e Legjislaturës së XI-të

Nacionale

Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke përmbyllur kështu procesin e konstituimit të Legjislaturës së XI-të. Në vazhdimin e seancës konstituive, në sallë ishin të pranishëm 82 deputetë. Në këtë proces, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit gjatë seancës së së premtes. […]

Madhësia e shkronjave

Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, duke përmbyllur kështu procesin e konstituimit të Legjislaturës së XI-të.

Në vazhdimin e seancës konstituive, në sallë ishin të pranishëm 82 deputetë.

Në këtë proces, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit gjatë seancës së së premtes.

Pas mungesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në seancë dhe kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, Kuvendi vazhdoi me procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi nuk mund të mbetet peng i asnjë subjekti politik dhe procedoi me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kandidati i LDK-së, Kujtim Shala, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime.

Pas zgjedhjes së Shalës, Kuvendi vazhdoi me votimin e nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet.

Nga komuniteti serb, Tanja Vujoviq u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 62 vota për, gjashtë kundër dhe tri abstenime.

Ndërsa nga komunitetet joshumicë, Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare me 70 vota për dhe shtatë abstenime.

Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se procesi i konstituimit kishte përfunduar.

“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar. Shihemi në seancën e radhës”, deklaroi Haxhiu.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se deputetët do të njoftohen për formimin e grupeve parlamentare.

Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli procesin e konstituimit të Legjislaturës së XI-të, duke hapur kështu rrugën për vazhdimin e punës së Kuvendit dhe procedurat e tjera institucionale. /Telegrafi/