Lëvizja Vetëvendosje e ka lidhur mungesën e PDK-së në seancën e konstituimit të Kuvendit me refuzimin e saj për të propozuar një kandidat për nënkryetar. Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, tha se kjo tregon se sa serioz ishte qëndrimi i PDK-së për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, PDK-ja për javë të tëra kishte kërkuar që Kuvendi të konstituohej, por në ditën kur ky proces u përmbyll, deputetët e saj nuk ishin të pranishëm në sallë.
Murati tha se LVV-ja kishte vendosur të votonte kandidatin e LDK-së për nënkryetar, me synimin që të zhbllokohej procesi institucional.

Ai theksoi se një prej prioriteteve kryesore të LVV-së është zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe shmangia e një tjetër procesi zgjedhor.
“Për ne në vazhdimësi ka qenë e rëndësishme të zgjidhet çështja e presidentit të Kosovës. Opozita nuk qëndroi në sallë herën e kaluar dhe e dërgoi vendin në zgjedhje. Duke dashur ta evitojmë shkuarjen në zgjedhje, LVV-ja ka insistuar që të ketë konsultim paraprak”, tha Murati.
Ai bëri të ditur se LVV-ja ka arritur një marrëveshje me LDK-në, por sipas tij, ajo nuk është e plotë, pasi disa deputetë të LDK-së kanë shprehur rezerva për çështjen e presidentit.
Murati tha se vendimi i LVV-së për votimin e kandidatit të LDK-së për nënkryetar mund të ndikojë në qëndrimin e disa deputetëve të kësaj partie lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Sa i përket nënkryetarit nga komuniteti serb, Murati tha se kjo çështje është e përcaktuar me Kushtetutë.
“Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit dhe jo Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi ai.
Murati shtoi se LVV-ja kishte insistuar që të arrihej një dakordësi politike para konstituimit të Kuvendit dhe fillimit të afateve kushtetuese, në mënyrë që të shmangej mundësia e shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja.




