Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca po qëndron në Sofje të Bullgarisë ku mori pjesë në takimin ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, në 30-vjetorin e këtij formati rajonal.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë fjalës së tij ka theksuar se Evropa Juglindore ka bërë përparim të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por se realiteti i sotëm gjeopolitik kërkon qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe orientimit evropian e euro-atlantik të rajonit.
“Integrimi evropian duhet të mbetet proces i besueshëm, i drejtë dhe i bazuar në merita, ku përparimi i Kosovës në demokraci, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias dhe zhvillim ekonomik njihet dhe përkthehet në hapa konkretë në rrugën tonë evropiane. Bashkëpunimi rajonal bëhet i qëndrueshëm kur përkthehet në projekte dhe marrëveshje që lehtësojnë jetën e qytetarëve. Për Kosovën, avancimi i hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirja e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T është një projekt strategjik për lidhshmërinë e vendit tonë dhe të rajonit me Bashkimin Evropian. Po aq të rëndësishme janë zbatimi i marrëveshjeve për njohjen e diplomave dhe lirinë e lëvizjes, si dhe avancimi i marrëveshjeve për të drejtat e sigurimeve sociale dhe lejet e punës. Këto janë hapa që e bëjnë bashkëpunimin më konkret, integrimin më të prekshëm dhe të ardhmen evropiane më të afërt për qytetarët tanë”, ka shkruar Konjufca.
Tutje thuhet se gjatë qëndrimit në Sofje zhvillova edhe një takim dypalësh me Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova. Bullgaria është partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe mbështetëse e vlefshme e rrugës sonë evropiane.
“Biseduam për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit në BE, për rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të bazuar në merita, për perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona. Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet me vendosmëri që përparimi i saj demokratik, orientimi i saj evropian dhe kontributi i saj për stabilitetin rajonal të përkthehen në hapa konkretë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar ndër të tjera Konjufca. /Telegrafi/






