Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi për incidentin e shtatorit 2024 gjatë të cilit u shkrepën armët mes pjesëtarëve të familjes Gashi, të njohur me nofkën “Capat”, dhe të familjes Sekiraqa.
Të akuzuar në këtë rast janë: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Sali Sekiraqa, Fatos Abazi, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Erd Marevci.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale si: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje.
Sot para trupit gjykues dëshminë e kanë dhënë dy dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, Nderim Halimi dhe Sabri Llapashtica.
Halimi tha para trupit gjykues se në ditën kritike ka qenë dy herë në lokalin “From”.
Dëshmitari Halimi ka treguar se atë ditë në mbrëmje e ka thirrur në telefon Vesel Bunjaku dhe janë takuar fillimisht te Xhamia e Vogël në Breg të Diellit, e më pas kanë vazhduar për te lokali “From” (kafeja e Sali Sekiraqës).
I pyetur për rrjedhën e ngjarjes, Halimi tha se sa kanë shkuar e janë ulur në lokal ku kanë qenë edhe Sali Sekiraqa me djalin e tij dhe shokë, pas përafërsisht pesë minutave ka ardhur një makinë në anën tjetër të rrugës, e pas dy minutave i kishte parë dy persona të maskuar e me armë të gjata “AK-47” duke e kaluar rrugën në drejtim të lokalit, dhe sa i janë afruar lokalit kanë filluar të shtënat.
Tutje, sipas Halimit, kur personat e maskuar e kanë kryer misionin e tyre, ai i ka parë edhe dy apo tre persona të tjera duke ikur nga vendi i ngjarjes.
I pyetur për veprimet e tij pas përfundimit të ngjarjes, Halimi tha se e ka thirrur Policinë tri herë, ndërsa Ndihmën e Shpejtë katër herë.
Tutje Halimi tha se pas përfundimit të të shtënave ai ka dalë jashtë lokalit ku e ka parë të akuzuarin Robert Llumnica të shtrirë në tokë, të plagosur, dhe duke kërkuar ndihmë. Me këtë rast Halimi tha se kur e ka kuptuar se Llumnica është i lënduar në bark nuk ka guxuar t’i ofrojë ndihmë, por e ka njoftuar se Ndihma e Shpejtë është rrugës.
Më pas, Halimi tha si ishte kthyer brenda edhe i ishte afruar Sali Sekiraqës, të cilin e ka parë të shtrirë dhe të plagosur.
“’Ndek’, pshtum” – tha Halimi se i kishte thënë Sekiraqa në ato momente.
“Ndek” është nofka e dëshmitarit Nderim Halimi.
Mbrojtja e palës së dëmtuar, avokati Kadri Mjekiqi, e ka pyetur Halimin se si kishte qenë i maskuar tani i ndjeri Premtim Gashi.
“Me një jakne të zezë, me një kapele të lëshar deri te sytë, por fytyrën nuk ia kam pa” – tha Halimi.
Pyetje për dëshmitarin Halimi ka pasur edhe mbrojtja e të pandehurit Korab Gashi, avokati Kujtim Kërveshi.
I pyetur nga Kërveshi se si e ka konstatuar Halimi që Sekiraqa ka qenë cak i sulmit, Halimi tha se pasi Sekiraqa kishte mbetur i plagosur sipas tij normale që të ishte cak.
I pyetur për raportet e tij me Vesel Bunjakun, Halimi tha se e ka njohur babanë e Bunjakut, dhe se me të i kishte rastisur të takohej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Kërveshi tentoi të parashtrojë edhe pyetje të tjera në raport me Vesel Bunjakun, por mbrojtja e të pandehurit Llumnica, avokatja Kosovare Kelmendi, e ka kundërshtuar këtë, duke ritheksuar për trupin gjykues se për Vesel Bunjakun tani çështja e tij në këtë procedurë vetëm se është gjykuar.
Pyetje dëshmitarit Halimi i ka parashtruar edhe mbrojtja e të pandehurit Valdrin Ademi, avokati Driton Musliu.
I pyetur nga Musliu se përveç Sekiraqës a ka përfunduar edhe dikush tjetër i plagosur, Halimi tha se i plagosur ka qenë edhe i pandehuri Fatos Abazi, por këtë ai nuk e ka ditur.
I pyetur se nëse edhe Abazi ka mbetur i plagosur, a e bën kjo Abazin cak të sulmit e jo Sali Sekiraqën, Halimi tha se Abazi nuk ka mundur të jetë cak sepse grupet kanë pasur konflikt edhe më herët.
Edhe avokatja Kosovare Kelmendi, mbrojtëse e të pandehurit Robert Llumnica, i ka parashtruar pyetje dëshmitarit Halimi.
I pyetur nga Kelmendi për raportet mes Llumnicës dhe Sali Sekiraqës, Halimi tha se ata mes vete kanë pasur shoqëri në radhë të parë, e më pas Roberti ka qenë i punësuar si kamerier në kafeterinë e Sali Sekiraqës, pra ai ka qenë punëdhënësi i tij.
Rreth pyetjeve të mbrojtjes së Robert Llumnicës, Halimi tha se në ditën kritike ai nuk e ka parë Robert Llumnicën as në tavolina ulur e as në lokal.
Pyetje dëshmitarit Nderim Halimi i bëri edhe mbrojtësi i të pandehurit Sali Sekiraqa, avokati Skender Musa.
I pyetur nëse ka biseduar ndonjëherë me Sali Sekiraqën lidhur me iniciativën e tij për pajtim me grupin “Capat”, Halimi tha se po ka pasur iniciativë në këtë aspekt nga ana e Sekiraqëve.
Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe i pandehuri Sali Sekiraqa.
Sekiraqa e ka pyetur Halimin nëse nga pozita ku ai ka qenë i ulur, a e ka pasur të mundur të shtijë me armë jashtë lokalit.
“Jo, nuk ka shans” – ishte përgjigjja e dëshmitarit Halimi.
Halimi duke iu përgjigjur pyetjeve të Sekiraqës e ka rikonfirmuar për trupin gjykues se nga pozita se ku ka qenë i ulur Sekiraqa e ka pasur të pamundur të shohë rrugën jashtë.
Pas kësaj, dëshmi ka dhënë edhe dëshmitari tjetër i propozuar nga Prokuroria, Sadri Llapashtica.
Me të filluar dhënien e dëshmisë, Llapashtica e ka njoftuar Gjykatën se i pandehuri në arrati Endrit Llapashtica është djali i tij.
I pyetur për ditën e ngjarjes, edhe Llapashtica deklaroi se ka qenë në lokalin “From” dy herë brenda asaj dite.
Llapashtica ka thënë se fillimisht ka shkuar në lokalin “From” ku ka qëndruar diku 40 – 50 minuta për kafe me Sali Sekiraqën dhe dy persona të tjerë. Më pas është kthyer në lokalin e tij, ka dalë për xhiro me veturë dhe është ndalur te lokali i Sali Sekiraqës, lokali “From”.
Herën e dytë Llapashtica tha se ka qenë në lokal për vetëm 4 – 5 minuta dhe aty Sekiraqa e kishte ftuar për të shkuar në një ndejë me muzikë diku në Vushtrri, dhe pas kësaj Llapashtica ishte larguar nga lokali për t’u nisur për shtëpi, për t’u bërë gati.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, Llapashtica ka deklaruar se herën e dytë kur ka shkuar në lokal ka qenë vetëm, e jo i shoqëruar nga djali i tij, Endrit Llapashtica.
Llapashtica e ka mohuar se ai e ka njoftuar atë ditë Sali Sekiraqën se “Capat” kanë për ta sulmuar.
“Me pas pasë atë informatë nuk kisha shku, me telefon i kisha thanë. Nuk kisha shku me rreziku veten” – tha Llapashtica në Gjykatë.
Për raportet e djalit të tij tani në arrati, Endrit Llapashtica, me të pandehurin Sali Sekiraqa, Llapashtica tha se ata kanë pasur vetëm raporte si fqinj e asgjë më shumë.
Tutje, Llapashtica tregoi se ai është kthyer në vendin e ngjarjes pas afro 40 minutave por se e ka pasur të pamundur të afrohet për shkak të shiritave të Policisë, e mandej nuk e kishte parë as djalin e tij, Endritin.
Me pyetje drejtuar dëshmitarit Llapashtica ka vazhduar mbrojtja e të pandehurit Korab Gashi, avokati Kujtim Kërveshi.
Kërveshi e ka kundërshtuar deklarimin e Llapashticës se ai ka shkuar i vetëm herën e dytë në lokal, duke i prezantuar atij video-incizimin nga vendi i ngjarjes, ku sipas avokatit shihet se nga vetura e Llapashticës del edhe një person tjetër nga ulësja e pasagjerit.
Për këtë pretendim të Kërveshit, Llapashtica ka thënë se nuk ka përgjigje.
“Nuk kam përgjigje se jam familjar” – u përgjigj Llapashtica.
Pyetje dëshmitarit Llapashtica i ka bërë edhe mbrjtësja e të pandehurit Llumnica, avokatja Kosovare Kelmendi.
I pyetur për prezencën e Robert Llumnicës në lokal në ditën e ngjarjes, Llapashtica ka thënë se kur ka shkuar herën e parë e ka parë Robertin duke i bartur disa sende si lule e të tjera së bashku me djalin e Sali Sekiraqes, ndërsa kur ka shkuar herën e dytë nuk e ka parë Robertin në lokal.
Në fund trupi gjykues ka njoftuar se Policia është akoma në kërkim të dëshmitarëve Valon Jashari dhe Rinora Dërmaku.
Avokatët mbrojtës të të dy palëve kanë propozuar që dëshmia e babait të Robert Llumnicës, dhe dëshmia e Bejtush Gashit të konsiderohen si të lexuara dhe ata të mos ftohen të shqyrtim për shkak se ato dëshmi nuk kanë të bëjnë me gjendjen faktike të rastit.
Këtë propozim trupi gjykues e ka aprovuar.
Në aktakuzën e datës 12.02.2026, në konfliktin e armatosur mes grupeve të ashtuquajtura “Capat” dhe “Sekiraqa”, Vesel Bunjaku u akuzua se ka kryer veprat penale “manipulim me prova” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në shqyrtimin gjyqësor të këtij rasti, të datës 26.08.2026, Bunjaku e pranoi fajësinë për veprat që i ngarkoheshin. Këtu edhe u veçua procedura ndaj tij.
Në seancën e datës 28.08.2026 në procedurë të veçuar, Gjykata e ka shpallur Bunjakun fajtor dhe e ka dënuar me 7 muaj burgim, ku i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, si dhe dënimin me gjobë prej dy mijë eurove.
Çka thotë dosja e Prokurorisë për rastin në fjalë?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit K.R., V.A., D.M., E.M., të grupit të njohur me nofkën “Capat’’, më datë 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, janë maskuar dhe janë pajisur me armë të gjata, revole si dhe ‘stupca’.
Aktakuza pretendon të njëjtit kanë marrë në përdorim tri vetura, “Porsche”, “Volkswagen Polo” dhe “Audi A7”, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit e tjerë S.S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A., E.Ll., dhe R.LI.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë. Po ashtu, të njëjtit akuzohen edhe për veprën e armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë, thuhet se i pandehuri S.S., së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A., E.LL., dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Pajtim Gashi, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit e tjerë.
Po ashtu i pandehuri V.B. akuzohet se ka kryer manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas hetimeve, aktakuza thotë se motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit Pajtim Gashi), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve.
Dy familje, Sekiraqa e Gashi, dyshohet se u përfshinë në ngjarjen e cila u regjistrua rreth orës 22:00 më 01.09.2024, në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen “Aktash” në Prishtinë.
Viktima i ishte kundërpërgjigjur sulmit me një armë të gjatë të tipit kallashnikov. I njëjti nga plagët e marra nga sulmi ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes ndërsa vetëm disa orë më vonë trupi i tij ishte dërguar për obduksion.
Siç kishte konfirmuar asokohe kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ngjarja dyshohet se është vazhdimësi e një rasti paraprak, më konkretisht e një konflikti që ka ndodhur muaj më parë.
Në këtë konflikt që kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2024, Pajtim Gashi kishte mbetur i plagosur ndërsa i dyshuar për këtë ngjarje ishte Shkumbin Sekiraqa. Ky i fundit tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28.08.2024.
KALLXO.com kishte arritur që të sigurojë aktakuzën në të cilën jepen detaje të plagosjes që ka ndodhur në muajin mars 2024. Edhe në atë kohë dyshimet ishin për përfshirjen e të njëjtave familje.
Shkumbin Sekiraqa, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për rastin e muajit mars 2024 është djali i Salih Sekiraqës. Ky i fundit është njëri nga personat e plagosur në gjuajtjet me armë në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë më 01.09.2024.
Për Shkumbin Sekiraqën Prokuroria kishte kërkuar që t’i vazhdohej masa e paraburgimit deri sa është ngritur edhe aktakuza ndaj tij.
Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.
“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një automjet “pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalt “paja shoq a po më njeh mua” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.
Dosja e Prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.
Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë. E me të njëjtat veprime Sekiraqa dyshohet se kreu edhe veprën tjetër penale, atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Kjo pasi që i njëjti kishte përdorur armën e zjarrit në një vend publik dhe kishte rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë që kishin qenë në rrugë.
Një tjetër vepër penale që i ngarkohet Sekiraqës nga Prokuroria e Prishtinës është ajo e mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të armës pa leje.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.
“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë.
E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.
“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande ai më ka thënë se ‘je ka më këqyrë shtremtë’, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbajtje derën qelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.
Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë. “Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifiku Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosje./Kallxo.com






